Tajlandë, nxirren katër djem të tjerë nga shpella

E publikuar: 09/07/2018 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lajmet nga Tajlanda njoftojnë se sot janë shpëtuar edhe katër djem të tjerë nga shpella e përmbytur. Sipas njoftimeve, ata u nxorën me barrela nga shpella dhe më pas u dërguan me ambulance dhe helikopterë në spital për trajtim të menjëhershëm.

Ekipet e shpëtimit në Tajlandë rifilluan operacionet të hënën për shpëtimin e djemve të mbetur në shpellë bashkë me trajnerin e tyre. Komandanti i misionit, Narongsak Osottanakorn foli për shtypin.

“Jemi të gatshëm me të gjitha pajisjet. Dua të njoftoj se filluam operacionin e dytë rreth orës 11 të mëngjesit.”

Autoritetet tajlandeze thanë se zhytësit që morën pjesë në operacionin e së djelës po marrin pjesë në operacionin e sotëm sepse njohin më mirë kushtet në shpellë.

Të djelën, zhytësit nxorën katë djem duke lënë pas tetë të tjerë dhe trajnerin e tyre. Grupi është bllokuar brenda shpellës së përmbytur prej më shumë se dy javësh.

Të katër djemtë e shpëtuar dje u dërguan në spital ndërsa thuhet se gjendja e tyre nuk ishte e rëndë.

Komandanti i misionit tha se djemtë e shpëtuar ende duhet të mbahen të izoluar nga prindërit dhe të tjerët nga frika e ndonjë infeksioni.

Trembëdhjetë zhytës ndërkombëtare dhe pesë tajlandezë po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit. Ata konsiderohen mes zhytësve më të mirë në botë, por operacioni është tejet i vështirë madje edhe për ekspertë të tillë.