Tahiri kërkon përgjegjësi për arratisjen e Osmanit:Shërbimi Korrektues ishte degraduar

E publikuar: 30/09/2017 16:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i ri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka lëshuar akuza të rënda për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ka thënë se ky institucion viteve të fundit është degraduar.

Këtë vlerësim e ka dhënë pas ikjes së një të burgosuri i dënuar me 30 vite burgim.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, viteve të fundit, është përballur me parregullsi dhe probleme që kanë shkaktuar degradimin e tij, duke prodhuar kështu efektet e veta”, ka shkruar Tahiri, në një reagim në FB.

Shërbimi Korrektues i Kosovës është institucion i menaxhuar nga Ministria e Drejtësisë. Këtë Ministri në dy mandatet e fundit e kanë udhëhequr zyrtarët e PDK’së. Për gati dy mandate Ministër ishte Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi e së fundmi Dhurata Hoxha.

Pavarësisht akuzave për degradim të Shërbimit Korrektues, Ministri Tahiri ka premtuar se do t’i nxjerrë para përgjegjësisë kushdo që ka gisht në ikjen e të burgosurit.

“Por, ju garantoj se do të arrij që Shërbimi Korrektues i Kosovës do të jetë në nivelin e detyrës dhe të ketë menaxhim të mirëfilltë, që ia mundëson funksionimin sipas ligjit dhe standardeve më të mira ndërkombëtare”, ka thënë ai.

“Për këtë, kam kërkuar një raport të detajuar dhe masa të menjëhershme për kthimin e tij në vuajtje të dënimit. Ju siguroj se këto probleme kanë adresë dhe secili do të japë përgjegjësi për detyrat që ka”, ka shtuar ai.