Tahiri: Kemi përgjegjësi ta mbrojmë pa kompromis informimin e drejtë, të saktë dhe në kohë

E publikuar: 03/05/2019 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka theksuar se nuk mund të ketë demokraci pa liri të shprehjes. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka theksuar se pavarësisht arritjeve, ende mbetet punë për t’u bërë për funksionimin e mirëfilltë të gazetarisë.

“Kushti themelor i demokracisë është liria dhe ndër tiparet themelore të lirisë është shprehja e lirë. Nuk mund të ketë demokraci liberale pa liri të shprehjes. Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, sot e gjen shoqërinë dhe mediat tona në një stad shumë më të avancuar. Megjithatë na duhet ende punë, dialog, transparencë dhe respekt për të garantuar një ambient të sigurt për funksionimin e mirëfilltë të këtij profesioni fisnik”, ka shkruar Tahiri.

Si pjesë e politikës aktive, Tahiri ka premtuar se do të angazhohet për bashkëpunim të plotë me mediat, si shtylla kyçe në mbrojtje të interesit publik të Republikës së Kosovës dhe shoqërisë në përgjithësi. Sipas tij, e gjithë kjo do të bëhet pasi vlerat që kanë informimi i drejtë, i saktë dhe në kohë, duhet të mbrohen pa kompromis.

“Sot, i bashkohemi ndërgjegjësimit për mbështetjen e gazetarëve dhe mediave për punën e tyre të shenjtë, plotësisht të vetëdijshëm se ky ndërgjegjësim duhet të jetë përditshmëri e jona. Si Ministër i Drejtësisë dhe si pjesë e politikës aktive, do të angazhohem për bashkëpunim të plotë me mediat, si shtyllat kyçe në mbrojtje të interesit publik të Republikës së Kosovës dhe shoqërisë tonë në përgjithësi. Informimi i drejtë, i saktë dhe në kohë, janë vlera të cilat kemi përgjegjësi t’i mbrojmë pa kompromis”, ka përfunduar Tahiri statusin e tij në Facebook.