Suspendohet nga puna zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë

E publikuar: 26/10/2016 16:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

N.Sh., zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, është suspenduar nga puna, më datën 20 tetor. Gazeta Express, merr vesh se ky zyrtar ka qenë shef i stacionit shëndetësor në Burgun e Dubravës, mirëpo pas një akuze të ngritur, atij i është ndaluar qasja në vendin e punës.

Lajmin për suspendimin e një zyrtari të Ministrisë së Shëndetësisë e ka konfirmuar edhe vetë ky institucion.

Sipas MSH-së më datë 20 tetor 2016, nga Drejtoria e Burgut të Dubravës, kësaj Ministrie i është përcjellë urdhri nga Gjykata Themelore e Prishtinës që N.Sh.-së t’i vendoset masa kufizuese për pozitën që ai mbante në burgun e Dubravës.

“MSH-së – Departamentit të Shëndetëssië në Burgje i është përcjellë një urdhër për masa kufizuese nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e datës 12 tetor 2016 për një punëtor shëndetësor që punon në atë institucion. Ky urdhër vlen deri në një urdhër tjetër përkatës të kësaj gjykate”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë Gazetës Express.

Ndërkohë që N.Sh. do të qëndrojë në suspendim me pagesë në bazë të Ligjit të Punës deri në një vendim tjetër të gjykatës.