Surroi ironizon lojën e Kuvendit për demarkacionin

E publikuar: 22/02/2018 16:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkrimtari dhe publicisti, Veton Surroi, njëri nga pjesëmarrësit e zhvillimeve më të rëndësishme nga vitet e ’80-ta, që i sollën Kosovës pavarësinë, ka ironizuar përmes një anekdote, të postuar në Facebook, me lojën parlamentare që po ndodhë tash e disa vite rreth demarkacionit me Malin e Zi.

Më poshtë, anekdota mbi të drejtën e Nasradinit:

E lusin Nasradin Hoxhën që të japë drejtësi në një kontest.

Pas dëgjimit të palëve ai i thotë njërës palë:

-Ti ke të drejtë.

Pala tjetër ankohet.

Ai i përgjigjet:

-Edhe ti ke të drejtë.

Një i tretë që qëllon aty pyet:

-Si është e mundur që të dy palët të kenë të drejtë?

-Edhe ti , besa , ke të drejtë, -përgjigjet Nasradin Hoxha.

(Nga përpjekja e sotme e Kuvendit që të votohet si një Ligj, Marrëveshja për demarkacion e vitit 2015, letra Vujanoviq -Thaçi dhe “Raporti Bulliqi).

Seanca e sotshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur ditë më parë, për të miratuar Projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi, u shty për nesër, meqë, ndonëse nuk u tha publikisht, mungonin numrat për ta bërë të plotfuqishme Marrëveshjen e Demarkacionit të nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015./koha.net/