Surprizon Washington, e nis me fitore ndaj Atlantas

E publikuar: 04/05/2015 10:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Washington Wizards rikonfirmohet si skuadra surprizë e fazës play-off në Nba. Pasi eliminoi me rezultatin e pastër 4-0 me ndeshje Toronto Raports në cerekfinalet e Lindjes, formacioni kryeqytetas e nisi me këmbën e mbarë edhe fazën gjysmëfinale. Në Philips Arena të Georgias Washingtoni bëri surprizën e madhe pasi fitoi me rezultatin 104-98 përballë Atlanta Hawks duke cuar në 1-0 serinë e gjysmëfinales. Falë një Bradley Beal në superformë që realizoi në total 28 pikë, Wizards kryesojnë 1-0 dhe tashmë kanë fituar avantazhin e fushës në përballjen me Atlantën që sezonin e rregullt në Konferencën e Lindjes e mbylli në vendin e parë. Në Georgia sfida nisi me dominimin e të zotëve të shtëpisë.

Një kosh i DeMarre Carrol që shënoi gjithsej 24 pikë duke rezultuar pikëshënuesi më i mirë për Hawks i dha Atlantës avantazhin 33-22 në periodën e parë. Ky fraksion loje u mbyll me shifrat 37-26 në favor të skuadrës së drejtuar nga trajneri Mike Budenholzer. Në fillimin e periodës së dytë gjermani Denis Schorder ftoi Mike Scott të realizonte një kosh me zhytje për të mbajtur Atlantën në distancë sigurie. Në 12-minutëshin e dytë miqtë nga kryeqyteti realizuan vetëm 1 pikë më shumë se Hawks duke bërë që pjesa e parë të përfundonte me shifrat 63-53 në favor të formacionit vendas. Gjithsesi pas pushimit Wizards kishin një marsh më shumë se Atlanta dhe të inspiruar edhe loja e shkëlqyer e treshes Bradley Beal-John Wall-Paul Pearce arritën të përmbysnin gjithcka. Pikërisht një realizim i John Wall e ngushtoi avantazhin e Atlantës në vetëm 4 pikë. Ylli i Washingtonit dhe ai që po bën tifozët e Wizards të ëndërrojnë zhvilloi një ndeshje fantastike teksa koleksionoi në total 18 pikë 13 asiste dhe 7 rebound.

Përvec John Wall në pjesën e dytë mbi parket shkëlqeu edhe veterani Paul Pearce i cili me 19 pikët e tij i dha një dorë skuadrës kryeqytetase për ta fituar sfidën. 30 sekonda përpara fundit skuadra e trajnerit Randy Wittman e pa veten në avantazh të 5 pikëve dhe pavarësisht se Millsap me një realizim të saktë nga vija e ngushtoi në vetëm 2 pikë avantazhin e miqëve, Wizards arritën të ruanin epërsinë duke e zgjatur edhe më tepër atë në sekondat e fundit për ta fituar gjithë ndeshjen me rezultatin 104-98. Ndërkohë në sfidën tjetër të mbrëmjes Golden State Warriors fitoi lehtësisht 101-86 përballë Memphis Grizzlies duke marrë kryesimin 1-0 në gjysmëfinalen e Perëndimit. Stephen Curry me 22 pikë dhe 7 asiste ishte basketbollisti më i mirë mbi parket për Warriors që me këtë sukses u kandiduan edhe njëherë tjetër si skuadra pretendente për titullin në Konferencën e Perëndimit./supersport.al/