Stategjia e Trumpit ka shënuar "përparim të lehtë" në luftën në Afganistan

E publikuar: 22/05/2018 11:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Strategjia e re e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump për Afganistanin ka arritur përparim të lehtë kundër kryengritjes së talibanëve nga muaji gusht dhe shteti vazhdon të konsiderohet “i rrezikshëm e i paqëndrueshëm” edhe pas 17 vjetëve të luftës, thuhet në raportin e një vëzhguesi qeveritar amerikan.

Përfundimet e tri agjencive mbikqyrëse amerikane më 21 maj janë në kundërshtim me deklarimet e Pentagonit se forcat afgane me mbështetjen amerikane kanë “ndryshuar kahjen” e luftës kundër talibanëve.

Raporti i inspektorëve të përgjithshëm të Pentagonit, Departamentit amerikan të Shtetit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar drejtuar Kongresit ka hetuar ngjarjet deri më 31 maj dhe ka cituar një numër të sulmeve të përgjakshme të kryera nga talibanët dhe grupe tjera militante.

“Talibanët dhe grupi militant, Shteti Islamik në Irak dhe Siri kanë nisur sulme të profilit të lartë në Kabul që kanë lënë të vdekur qindra persona” është përmendur në raport.

“Talibanët kanë vazhduar të kontrollojnë territorin dhe kanë nisur sulme terroriste në Kabul dhe pjesë tjera të shtetit”, thuhet ndër të tjera në të gjetura.

Video nga arkivi

Më 21 maj, talibanët kanë paralajmëruar banorët e Kabulit se janë duke planifikuar sulme të reja në kryeqytetin afgan dhe se banorët duhet të largohen nga “qendrat ushtarake” për të zvogëluar numrin e viktimave civile.

Kur administrata e Trumpit kishte prezantuar strategjinë e re në muajin gusht, pati deklaruar për fushatë më të madhe ushtarake kundër talibanëve duke shpresuar se forca e rritur do të bindte talibanët se nuk mund të fitojnë dhe t’iu bashkohen negociatave për paqe.

Mirëpo inspektorët e përgjithshëm kanë thënë se “ka prova të pakta që tregojnë se rritja e presionit ndaj talibanëve ka rezultuar me ndikim të madh”.

Në muajin shkurt, Qeveria afgane ka ofruar nisjen e procesit të pajtimit me talibanët pa parakushte, mirëpo grupi militant e ka kundërshtuar një gjë të tillë.

Raporti po ashtu ka gjetur se forcat afgane dhe ato amerikane nuk kanë fituar “territor të madh”, pavarësisht synimit të strategjisë së Shtëpisë së Bardhë për rritje të territorit të kontrolluar nga forcat qeveritare në 80 përqind nga 64 sa është tani me anë të sulmeve tokësore dhe atyre ajrore.

Sipas po këtij raporti, përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë kanë dështuar edhe në marrjen e masave kundër militantëve të Pakistanit që kanë nisur sulme nga territori i tyre në Afganitan.

“Pavarësisht pezullimit të rreth 2 miliardë dollarëve të planifikuara për ndihma të sigurisë në Pakistan, në këtë shtet nuk është vërejtur marrja e ndonjë mase për të eliminuar strehat e sigurta të terroristëve”.

Në këtë raport janë shprehur edhe dyshime lidhur me përparimin që mund të jetë bërë përmes mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Afganistan, të cilat fillimisht ishte planifikuar të mbaheshin në korrik dhe më pas janë shtyrë për muajin tetor.

“Duke marrë parasysh faktin se talibanët e shohin Qeverinë afgane si vegël të SHBA-së, është e paqartë se si zgjedhjet e mbështetura nga kjo e fundit mund të rrisin legjitimitetin e qeverisë afgane në sytë e talibanëve dhe sa do të ndikonte kjo që militantët të nisin procesin e pajtimit”, thekson raporti.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 15,000 trupa mbështëse në Afganistan, të cilët ofrojnë ndihmë ushtarake mirëpo nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në luftime.

I pyetur për vlerësimin e zymtë të raportit, zëdhënësi i Pentagonit, koloneli, Rob Manning, ka thënë se zyrtarët besojnë se “kaosi dhe përparimi mund të bashkëjetojnë” në Afganistan.

“Kjo është pikërisht ajo që ne menojmë se është duke ndodhur në Afganistan”, ka thënë ai.

Në fund raporti tregon se numri i forcave afganë ka vazhduar të zvogëlohet, duke rritur shqetësimet për efektivitetin e tyre.

Numri i trupave afgane në detyrë deri në fund të janarit ka qenë 313,728 në krahasim me 331,708 sa ka qenë një vit më parë.

Përgatiti: Krenare Cubolli