Sondazhet tregojnë se Kosova nuk është më kryesorja për serbët

E publikuar: 08/05/2018 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sipas një hulumtimi, të kryer nga agjencia Faktor Plus, zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk përbën prioritetin kryesor për serbët. Ata kanë vënë në plan të parë zhvillimin ekonomik të vendit, transmeton Koha.net shkrimin e publikuar sot në të përditshmen “Politika”.

Numri më i madh i qytetarëve të Serbisë, 92 për qind e tyre konsideron ndër prioritete të Serbisë më kryesorin zhvillimin ekonomik të shtetit. Prioritet me rëndësi ata kanë vënë edhe eliminimin e krimit dhe të korrupsionit – 89 për qind e qytetarëve të anketuar, ndërsa për paqe dhe stabilitet politik janë deklaruar 86 për qind e respondentëve të këtij hulumtimi të agjencisë Faktor Plus. Pas këtyre vijnë drejtësia sociale dhe solidariteti – 78 për qind, ndërsa zgjidhjen e çështjes së Kosovës e kanë vënë ndër prioritete 46 për qind e të anketuarve. Për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian janë deklaruar 36 për qind e tyre, kurse për zhvillim të demokracisë – 14 për qind.

Sipas këtyre përqindjeve, çështja e Kosovës nuk është nga ato më kryesoret për qytetarët e Serbisë, por drejtori i agjencisë Faktor Plus citohet të ketë thënë se interesimi për këtë çështje ka shënuar rritje. Sipas tij, para një viti vetëm 16 për qind e qytetarëve kishin deklaruar se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet një orë e më parë.

Ky hulumtim është kryer nga data 2 deri më 6 maj, ndërsa në të kanë marrë pjesë 1.040 respondentë.