Situatë e tensionuar në Lindjen e Mesme

E publikuar: 31/03/2018 18:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për një “hetim të pavarur dhe transparent” mbi përleshjet vdekjeprurëse përgjatë kufirit të Izraelit me Gazën të premten, ku u vranë të paktën 15 palestinezë dhe u plagosën rreth 1,400 të tjerë.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së mbajti një takim urgjent të premten për të diskutuar situatën në Gazë, por nuk vendosi për ndonjë veprim apo deklaratë të përbashkët.

Ndihmës-Sekretari i Përgjithshëm për Çështjet Politike, Taye-Brook Zerihoun, i tha Këshillit të Sigurimit të premten se situata në Gazë “mund të përkeqësohet në ditët e ardhshme” dhe bëri thirrje që mos të vihen në shënjestër civilët, sidomos fëmijët.

Zerihoun i bëri thirrje forcave izraelite të sigurisë të ushtrojnë kontrollin maksimal.

“Izraeli duhet të respektojë përgjegjësitë e tij sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Forca vdekjeprurëse duhet të përdoret vetëm si mjet i fundit dhe çdo humbje jete duhet hetuar siç duhet nga autoritetet. Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje forcave izraelite të sigurisë për të ushtruar kontrollin maksimal për të shmangur viktima”.

Diplomati amerikan Walter Miller bëri thirrje gjithashtu për uljen e tensioneve.

“Ne jemi thellësisht të trishtuar nga humbja e jetëve sot. U bëjmë thirrje palëve të përfshira të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të pakësuar rrezikun e përplasjeve të tjera. Ata që përdorin protestat si mënyrë për të nxitur dhunën rrezikojnë jetën e njerëzve të pafajshëm” tha ai.

Të paktën 15 palestinezë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën të premten nga forcat izraelite të sigurisë përgjatë kufirit Izrael-Gazë, tha Ministria Palestineze e Shëndetsisë. Ministria gjithashtu tha se rreth 1,400 të tjerë u plagosën.

Ushtria izraelite tha se trupat e saj përdorën “mjete për shpërndarjen e demonstratave”, për të shuar një nga protestat më të mëdha palestineze përgjatë kufirit në vitet e fundit.

Izraeli gjithashtu përdori një mjet të ri të kontrollit të turmave – dronë, ku secili prej tyre përhapi gaz lotsjellës mbi protestuesit. Njerëzit shpejt u shpërndanë kur panë se dronët po u afroheshin.

Dhuna shpërtheu ndërsa mijëra palestinezë iu afruan kufirit. Ushtria izraelite tha se trupat e saj iu përgjigjën “nxitësve kryesorë”, të cilët po hidhnin gurë dhe digjnin goma makinash. Ushtria izraelite gjithashtu akuzoi militantët se po përpiqeshin të kryenin sulme nën mbulesën e protestave masive.