Siri, merr fund beteja për Aleppon. Pritet evakuimi i civilëve e rebelëve

E publikuar: 13/12/2016 21:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Siri, merr fund beteja për Aleppon. Pritet evakuimi i civilëve e rebelëve
Beteja për Aleppon tashmë ka përfunduar. Rebelët sirianë pranuan të largohen nga qyteti i kthyer në zemrën e dramës së konfliktit, çfarë nënkupton dhe mbylljen e luftës 4-vjeçare për kontrollin e tij.

Vet ambasadori rus në OKB, Vitali Churkin pohoi se një marrëveshje është arritur me luftëtarët kundërshtarë të regjimit të Bashar al-Assadit për të braktisur enklavat në lindje të Aleppos. Këto zona, sipas Churkin, janë në duart e trupave siriane dhe tani është momenti për nisma praktike humanitare.

“Operacionet e antiterrorizmit në Aleppo do të përfundojnë brenda disa orësh. Të gjithë militantët, së bashku me pjesëtarët e familjeve të tyre dhe të plagosurit janë duke kaluar nëpër korridore sigurie në drejtimet që i kanë zgjedhur vet, vullnetarisht, përfshirë atë të Idlibit. Oficerët e Qendrës ruse për Pajtim po punojnë nëpër postblloqe me palët ndërluftuese. Ky informacion mund të konfirmohet edhe nga përfaqësues të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Aleppo, si dhe nga të gjitha gjitha agjencitë humanitare të OKB-së që veprojnë në këtë qytet”, tha Vitali Churkin, ambasador i Rusisë në OKB.

Rebelët ishin për çdo rast në prag disfate, pas ofensivës qeveritare në zonë, të ndihmuar edhe prej fuqisë ajrore ruse. Fjala për arritjen e marrëveshjes falë edhe ndërmjetësimit të Turqisë doli thuajse në të njëjtën kohë me raportet e OKB-së për vrasje shtëpi më shtëpi nga forcat qeveritare, në lagjet lindore të Aleppos.

Panorama në qytet, ashtu siç e përshkruajnë Kombet e Bashkuara, është dramatike: rrugët janë të mbushura me trupa të pajetë, e një ndërtesë që strehon gati 100 të pashoqëruar nga të rritur është kthyer në shënjestrën e bombardimeve të rënda.

Marrja e Aleppos përfaqëson një kthesë të jashtëzakonshme të rrotës së fatit për Assadin, por edhe një triumf strategjik për Moskën. Përpara ndërhyrjes ruse, presidenti sirian e kishte lakun në fyt dhe fuqia ushtarake po i thërrmohej përpara syve. Assadit nuk i mungoi, nga ana tjetër, as mbështetja e Iranit, , aleatit të tij të ngushtë strategjik, i cili përgjatë konfliktit i ka ofruar pa hezitim mbështetje logjistike, teknike e financiare, e i ka dërguar edhe trupa ushtarake.

/ Top Channel