Siri – “Gjenerata e Humbur” e fëmijëve të luftës

E publikuar: 23/04/2018 19:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Disa prej fëmijëve në Siri e kanë kaluar të gjithë jetën në kushte lufte. Madje, edhe ata që u larguan nga konflikti, po vuajnë pasojat. Ekspertët thonë se efektet e luftës së gjatë janë shkatërruese për zhvillimin fizik, mendor dhe arsimor për një gjeneratë të tërë sirianësh. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, fati i fëmijëve sirianë u diskutua nga ekspertët në një forum këtu në kryeqytetin amerikan, Uashington.

Sipas përllogaritjeve rreth 2 milionë fëmijë sirianë nuk shkojnë në shkollë, dhe afro 1 milion e atyre që janë larguar nuk po marrin arsimin e duhur. Gjysma e fëmijëve që shkojnë në shkollë në Siri thonë se nuk ndihen të sigurtë. Grupet humanitare kanë intervistuar disa fëmijë. Amy Richmond është me organizatën “Save the Children”.

“12 vjeçari Abud na tha: “Ndjehem gjithmonë i zemëruar.” Rihab, tetë vjeç nga Aleppo na tha: “Kam frikë të shkoj në shkollë, sepse një aeroplan mund të na bombardojë.”Aliya, 12 vjeç, na tha: “Do hutohesha po nuk dëgjova dhe pashë sulme ajrore, sepse ndodhin kaq shpesh.”

Amy Richmond ka punuar me fëmijët e shpërngulur sirianë në Jordani, Liban dhe Turqi, si dhe të zhvendosurit brenda Sirisë.

“Save the Children vlerëson se ndërsa flasim, çdo orë 250 fëmijë të tjerë po ikin me familjet e tyre. Dëmi psikologjik i përjetimit dhe dëshmisë së dhunës, krahas me problemet që krijon zhvendosja, krijojnë një situatë që ne e quajmë stres toksik.,”

Ekspertët thonë se stresi dhe trauma pengojnë zhvillimin fizik dhe mendor tek fëmijët. Fëmijët e traumatizuar rëndë nuk mund të mësojnë. Pothuajse çdo fëmijë në Siri është prekur nga lufta në një farë mënyre. Të mbijetuarit ka të ngjarë të kenë të paktën një të afërm të vrarë. Fëmijët në kampet e refugjatëve shpesh u nënshtrohen poshtërimeve dhe abuzimeve.Dr. Mohamed Khaled Hamza është me Shoqatën Mjekësore Siriano-Amerikane.

“Pyetja qëndron: A ka ndonjë efikasitet, apo ndikim të asaj që mësuesi apo terapisti ofrojnë kur abuzimi vazhdon? Abuzime të ndryshme, madje abuzime të ashpra, këto janë duke ndodhur.”

Departamenti amerikan i Shtetit po punon me disa bashkësi lokale në verilindje të Sirisë për të ndihmuar në rehabilitimin e fëmijëve të moshës shkollore. Arti, aktrimi e vallëzimi i ndihmojnë fëmijët që të përballen me dhimbjen. Ata po ashtu duhet të mësojnë se si të bashkëveprojnë para mësimit. Catherine Bou-Maroun është me Departamentin e Shtetit.

“Fëmijët nuk do të jenë në gjendje që të shkojnë nga rruga në klasë, ku duhet të rrish ulur për pesë deri tetë orë, pa një strukturë ndihmëse. Ndaj para se ata të jenë në gjendje të mësojnë abc-në, duhen trajtuar problemet mendore që ata kanë”.

Ekspertët paralajmërojnë se lufta në Siri po krijon një “gjeneratë të humbur” që do të ketë pasoja shkatërrimtare për vendin, i cili do të ketë nevojë për rindërtim kur të përfundojë lufta.