Siri: 54 të vrarë nga një sulm ajror

E publikuar: 13/07/2018 19:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të paktën 54 persona janë vrarë, mes tyre luftëtarë të Shtetit Islamik dhe 28 civilë si pasojë e një sulmi ajror, në provincën lindore të Sirisë, Deir Ezzor.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani njoftoi se të enjten vonë në mbrëmje u godit një fabrikë akulli pranë kufirit me Irakun, një zonë që kontrollohet nga grupi i Shtetit Islamik, ku jetojnë edhe dhjetëra civilë.

Sipas organizatës nuk është e qartë nëse sulmi u krye nga avionë që vinin nga Iraku apo koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja.

Agjencia siriane e lajmeve SANA fajësoi për sulmin ajror, koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, duke raportuar vrasjen e 30 personave dhe plagosjen e shumë të tjerë.

Agjencia e lajmeve Reuters citoi zyrtarë të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të kenë thënë se forca të tij apo partnere “mund të kenë kryer sulme në afërsi” të zonës ku sipas Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut kanë ndodhur vrasjet.

Në të kaluarën koalicioni ka kryer sulme kundër zonave të kontrolluara nga IS-isi në Siri dhe ka mbështetur luftëtarët e udhëhequr nga kurdët, në luftën kundër grupit ekstremist. Kohët e fundit avionë luftarakë irakenë kanë kryer gjithashtu sulme në Sirinë lindore.

IS-isi ka humbur kontrollin e shumicës së territorit në Siri, por mban ende nën kontroll disa zona, përfshirë dhe Deir Ezzor-in.