Shtrirja e koronavirusit nga Kina në Evropë: një listë me lajmet më të rëndësishme

E publikuar: 23/02/2020 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Italia është shndërruar në vatër të koronavirusit në Evropë, në Korenë e Jugut është shpallur gjendje e jashtëzakonshme shëndetësore, në Kinë autoritetet konfirmojnë 77 mijë të infektuar, në Ukrainë të kthyerit nga Kina janë gjuajtur me gurë. Më të rrezikuarit janë personat mbi moshën 50-vjeçare.

1.
“Zona Rossa”, zona e kuqe, kështu quhet pjesa veriore e Italisë e prekur nga koronavirusi. Deri të dielën pasdite në Italinë veriore, e sidomos në krahinat e Lombardisë dhe Venetos, janë regjistruar rreth 130 të infektuar. 50 mijë njerëz janë izoluar – si në Kinë, prej nga buron virusi. Dy persona kanë vdekur në Itali. Ky vend është shndërruar befas në vatër të infektimeve me koronavirusin në Evropë. Për të arritur në zonat e prekura nga virusi, autoritetet kanë hapur “korridore sterile”, përmes të cilave pritet të sillen ilaçe dhe artikuj ushqimorë.

2.
Koronavirusi ka pasoja edhe për jetën sociale. Të hënën dhe të martën nuk do të mbahet karnavali tradicional i Venedikut.

3.
Presidenti i Kinës Shi Xhinpin tha se koronavirusi do të ketë pasoja edhe për ekonominë e vendit. Lufta kundër koronavirusit është në fazë kritike, tha Shi Xhinpin.

4.
Në Korenë e Jugut janë infektuar rreth 600 veta, ndërsa kanë vdekur 5 persona. Për shkak të shtrirjes së shpejtë të virusit autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme shëndetësore. Pas Kinës Korea e Jugut është vendi me numrin më të madh të infektimeve.

5.
Në Japoni ka vdekur pasagjeri i tretë që gjendej në karantinë në anijen “Diamond Princess”. Kjo anije u ndalua në portin e Jokohamas dhe kishte brenda rreth 3 mijë pasagjerë. Ndërkohë ata janë lejuar të braktisin anijen.

6.
Në Iran deri më tani kanë vdekur 8 veta si pasojë e koronavirusit. Kështu ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë e Iranit. Numri i të infektuarve ka arritur në 43.

7.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi të premten se hapësira kohore për të parandaluar epideminë po mbyllet. “Nëse e humbim këtë shans, do të kemi problem serioz”, tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

8.
Kriza e koronavirusit kërcënon edhe ekonominë botërore. Në Kinë shitja e veturave të reja ka rënë për 92 për qind. Nga data 1 deri 16 shkurt në Kinë janë shitur vetëm 4900 automjete. Në periudhën e njëjtë kohore para një viti qenë shitur 60 mijë vetura.

9.
Qeveria e Ukrainës i ka transportuar disa shtetas nga Vuhani i Kinës, ku shpërtheu virusi. Por duke i dërguar në karantinë në rajonin Poltava, banorët e fshatit Novi Sanshari i kanë sulmuar me gurë autobusët në përpjekje për të penguar sistemimin e ukrainasve të kthyer nga Kina. Asnjëri prej tyre nuk ka shenja të virusit, por kjo nuk i ka penguar banorët të shfaqin agresivitet kundër bashkëkombësve. Presidenti ukrainas Volodimir Selenski tha se kjo sjellje “nuk i përgjigjet anës së mirë të karakterit tonë”.

10.
Autoritetet kineze kanë publikuar një pasqyrë me të dhëna të të vdekurve të deritanishëm nga koronavirusi. Të dhënat tregojnë se rreziku nga koronavirusi rritet nga mosha 50-vjeçare dhe veçanërisht te burrat. Shumica e të vdekurve deri më tani janë të moshës së pjekur ose të vjetër.