Shtetet e Bashkuara ndalojnë përdorimin e Kaspersky nga agjencitë shtetërore

E publikuar: 14/09/2017 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Administrata Trump tregon për herë të parë forcën e saj kundër Rusisë duke u kërkuar agjencive shtetërore të mos përdorin produktet e Kaspersky Lab në rrjetet e tyre.

Vendimi vjen pas dyshimeve se firma Ruse e sigurisë mund të jetë “infektuar” nga influenca e Kremlinit dhe të përdorë softuerin e Kaspersky për të cenuar sigurinë kombëtare Amerikane.

Vendimi vjen në përgjigje të alarmit të ngritur nga agjencitë e inteligjencës Amerikane të cilat përshkruanin Kaspersky si një kërcënim për sigurinë e vendit.

Dyshimet mbi Kaspersky u shtuan pas akuzave se Moska kishte përdorur internetin për të influencuar rezultatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara.

Kaspersky Lab mohoi çdo akuzë duke thënë se nuk ka asnjë provë nga një individ apo organizatë që pohon dyshimet e inteligjencës Amerikane.

Sipas kompanisë akuzat bazohen plotësisht në supozime të pasakta.

Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare kishte kërkuar nga agjencitë federale të identifikojnë produktet e Kaspersky në sistemet e tyre të informacionit brenda 30 ditësh dhe të ndalojnë përdorimin e tyre brenda 90 ditësh.

Edhe distributorët në SHBA kanë filluar të heqin produktet e sigurisë së Kaspersky nga vitrinat dhe uebsajtet e tyre.

Megjithatë dëmi financiar i shkaktuar ndaj Kaspersky do të jetë minimal për kompaninë e cila është themeluar në 1997 dhe ka 400 milion konsumatorë në mbarë botën. /PCWorld Albanian