Shqipëri, shkon në 15 numri i viktimave nga COVID-19

E publikuar: 01/04/2020 13:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën dy njerëz duke e çuar në 15 numrin e të vdekurve sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se viktimat kishin sëmundje shoqëruese.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 79 të shtruar. Shtatë prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”, tha Bino.

Ajo bëri të ditur se janë testuar 152 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19.

“Deri në këto momente janë testuar 1,823 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 259 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç”, tha Bino.

Sipas zonjës Bino, lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit janë 15 pacientë të shëruar, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 67.

“Harta e të prekurve nga COVID-19zgjerohet në Tiranë, Durrës, Kavajë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intensitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit”, bëri të ditur ajo.

“Në vijim të komunikimit të përditshëm, ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive. Epidemiologët në çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor nga veriu në jug, janë në terren dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të identifikuar në kohë kontaktet, pas verifikimit të rasteve të dyshuara”, tha Bino.

Në anën tjetër, Policia e Shtetit vijon kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga Qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

“Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, nga strukturat e Policisë janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 111 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, në orët e pasdites, pa ndonjë arsye apo emergjencë”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Rregulli i ri për qarkullim në Shqipëri është edhe më shtrëngues se javëve paraprake. Asnjë këmbësor nuk lejohet të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.

Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në platformën e-Albania, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesat e tyre.