Shqipëri: Dhjetë persona të prekur me koronavirus

E publikuar: 10/03/2020 13:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Shqipëri ka shkuar në dhjetë numri i personave të prekur me koronavirus, gjashtë prej të cilëve janë kontakt i ngushtë me dy rastet e para të konfirmuara, dhe dy raste tjera të palidhura me ta.

Deri tani, në Shqipëri janë testuar 114 raste të dyshuara, por përveç këtyre dhjetëve, të tjerët kanë rezultuar negativ.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë kanë njoftuar se të gjithë personat e prekur kanë pasur ose vet, ose ata rreth tyre, histori udhëtimi në Itali në dy javët e fundit.

Italia është vendi më i prekur në Evropë nga koronavirusi i ri. Kryeministri i këtij vendi, Giuseppe Conte, ka deklaruar se nga 10 marsi, njerëzit do të lejohen të udhëtojnë vetëm për punë apo emergjenca familjare.

Institucionet shëndetësore të Shqipërisë kanë bërë thirrje për qetësi, por edhe për kujdes të shtuar, pasi siç kanë thënë ata, “jemi në prag të një pandemie botërore”.

Shqipëria ka marr masa në parandalim të shpërndarjes së virusit vdekjeprurës duke mbyllur të gjitha institucionet arsimore për dy javët e ardhshme.

Qeveria po ashtu, të martën kanë vendosur të ndërpresë të gjitha fluturimet dhe lundrimet me Italinë.

Numri i njerëzve të infektuar me koronavirus arriti në mbi 110,000 në të gjithë botën, dhe mbi 3,800 kanë vdekur nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.

Koronavirusi i ri, fillimisht u shfaq në Kinë në dhjetorin e vitit të kaluar. Numri më i madh i viktimave nga koronavirusi është në Kinë, Itali dhe Iran.

Ky virus përcillet me temperaturë, koll dhe probleme me frymëmarrje.