Shpend Ahmeti propozon të shqyrtohet trajtimi me plazmën e të shëruarve nga Covid-19

E publikuar: 19/07/2020 17:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Prishtinës ka dalë me një sugjerim për Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK në lidhje me trajtimin e koronavirusit.

Shpend Ahmeti kërkon nga këto dy të fundit të ndjekin shembullin e Britanisë për trajtimin e Covid-19 përmes transfuzionit të gjakut nga personat që e kanë kaluar sëmundjen tek ata që janë në gjendje të rëndë, me shpresën se antitrupat e gatshëm nga personi me imunitet do ta luftojnë virusin te personi që e ka virusin.

Ai në një postim në Facebook, shkruan se testet e para serologjike në Prishtinë tregojnë se te pacientët e prekur me Covid-19 ka antitrupa që e luftojnë virusin, disa prej tyre me nivele të larta të antitrupave.

“Në mungesë të trajtimeve farmaceutike, shtetet po provojnë trajtimin me transfuzion të gjakut (plasma) nga ata që e kanë kaluar në ata që janë gjendje të rëndë. Kjo me shpresën se antitrupat e gatshëm nga personi me imunitet do ta luftojnë virusin te personi që e ka virusin tani”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka kujtuar se vetëm në Britaninë e Madhe, 143 spitale po marrin pjesë në provën e transfuzionit të plazmës, ku 115 mijë njerëz kanë ofruar gjak ndërsa deri tani janë mbledhur mbi 15 mijë njësi të plazmës nga njerëz që kanë pasur virusin dhe kanë imunitet.

“Hiq më larg se në Maqedoni është duke u provuar ky trajtim, natyrisht deri në gjetjen e trajtimeve tjera, vaksinë apo zgjidhje farmaceutike. Testet serologjike tregojnë imunitet. Sugjeroj Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK të mbledhin ekspertët shëndetësorë për ta vlerësuar këtë metodologji dhe të kërkojnë edhe ndihmën e OBSH, me shpresën që edhe vetëm një jetë mund të shpëtohet”, ka thënë Ahmeti.