SHBA-të, OKB-ja dhe BE-ja mbështesin një marrëveshje të qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë

E publikuar: 23/01/2020 16:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Organizata e Kombeve të Bashkuara si dhe Bashkimi Evropian, janë pro një marrëveshjeje të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ish-zyrtari i Pentagonit si dhe njohës i çështjeve të Ballkanit, Michael Carpenter, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Organizata e Kombeve të Bashkuara si dhe Bashkimi Evropian mbështesin një marrëveshje të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Carpenter, i cili në të kaluarën ka qenë këshilltar dhe mbështetës i Joseph Biden, në një intervistë dhënë për Telegrafin serb, ka thënë se SHBA-të nuk kanë linja të kuqe për arritjen e marrëveshjes në mes të serbëve të shqiptarëve, por që sipas tij, deri më tani nuk ka mbaruar asgjë dhe nuk përjashtohet asgjë, përfshirë edhe ndryshimin e kufijve, transmeton lajmi.net.

“Asgjë nuk ka mbaruar dhe asgjë nuk përjashtohet, madje as ndryshimi i kufijve kur bëhet fjalë për Kosovën”, tha Michael Carpenter, për Telegrafin Serb.

Carpenter po ashtu në këtë intervistë ka thënë se Uashingtoni do të mbështes çdo zgjidhje që bien dakord pala serbe dhe ajo kosovare. Sipas tij, SHBA-të nuk kanë linja të kuqe në këtë drejtim por siç theksoi, Carpenter, çdo gjë është në dorë të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), dhe Bashkimi Evropian (BE), do të mbështesin një marrëveshje të qëndrueshme.

Ai tha se, Demokratët dhe Republikanët në Kongres janë të bashkuar fuqimisht në mbështetjen e Kosovës së pavarur.

“Kështu që kjo nuk do të ndryshojë”, tha ai, duke shtuar se të dy palët duan një rezolutë që do t’i lejojë Serbisë dhe Kosovës të jetojnë së bashku në paqe dhe prosperitet, transmeton më tutje lajmi.net.

“Ne duhet të mendojmë në mënyrë kreative se si ta arrijmë këtë. Nuk mendoj se status qou-ja është e qëndrueshme”, tha më tutje Carpenter.

Ai vlerësoi se sido që të ketë sukses administrata demokratike, detyra e tanishme do të duhet të jetë më kreativ dhe se sipas tij, duhet të ketë dhe të mendohet në mënyrë më të kujdesshme se si t’i inkurajojë të dy palët për të arritur një marrëveshje që mund të pranohet nga shumica e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

“Kjo përfshinë vendosjen në tryezë idenë e një fondi të stabilizimit”, shtoi ai.

Carpenter , tha se nuk do të dëshironte të përjashtonte ndonjë mundësi, përfshirë ndryshimin e kufijve, por thekson se e rëndësishme është qëndrueshmëria e një marrëveshjeje që mbështetet nga shumica e qytetarëve si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.

“Nëse aktorët e brendshëm nuk e mbështesin plotësisht marrëveshjen-zgjidhjen, atëherë pa marrë parasysh se çfarë mendojnë aktorët e jashtëm, ajo nuk do të funksionojë. Një marrëveshje e qëndrueshme kërkon mbështetje të gjerë nga të dy palët”, theksoi Carpenter.