SHBA, parandalohet një sulm terrorist në bazën ushtarake

E publikuar: 11/04/2015 09:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një 20-vjeçar amerikan është arrestuar në Kansas pasi dyshohej se do të kryente një sulm terrorist duke shpërthyer një autobombë në bazën ushtarake ‘Fort Riley’ në Manhattan.

John T Booker ishte në përgatitjet e fundit për të kryer sulmin vetëvrasës në emër të Shtetit Islamik, tha FBI. Ai më parë ishte përpjekur për t’u futur në ushtri, por nuk ishte lejuar për shkak të postimeve në internet ne lidhje me xhihadin.

Sipas FBI-së, Booker, kishte organizuar planin për kryerjen e një sulmi në ambientet e brendshme të bazës ushtarake. Ai do të synonte të vriste ushtarët dhe të rrëmbente një oficer të rangut të lartë.

“John Booker u përpoq të sulmonte personelin ushtarak amerikan në tokën tonë, në emër të ISIS”, tha zëvendësprokurori i Përgjithshëm, John Carlin. “Falë përpjekjeve të autoriteteve të zbatimit të ligjit, ne ishim në gjendje të ndërpresim këtë kërcënim ndaj këtyre njerëzve që i shërbejnë vendit tonë. Mbrojtja e jetës së amerikanëve dhe sjellja para drejtësisë e atyre që tentojnë të lëndojnë këta qytetarë mbetet prioritet numër një i Divizionit të Sigurisë Kombëtare”, tha Carlin.

20- vjeçari është i fundit i arrestuar në tentativat për të mbështetur ISIS. Dy persona u arrestuan në Chicago në fund të marsit, pasi tentuat të siguronin mbështetje materiale për organizatën. Në fillim të këtij muaji u arrestuan edhe dy femra në Nju Jork, të cilat po planifikonin të krijonin një armë të shkatërrimit në masë. / Top Channel/