Serbia nuk i njeh patentë shoferët e Kosovës – ministri Mustafa thotë së nesër do të kërkojë reciprocitet

E publikuar: 06/05/2019 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shoferët kosovarë po vazhdojnë të gjobiten nëpër rrugët e Serbisë për shkak se autoritetet serbe nuk po ua njohin patentë shoferët e lëshuara nga Republika e Kosovës.

Një shtetas kosovar (emri i njohur për gazetën), që ka udhëtuar për punë në Serbi, ka shpjeguar se policët serbë e kanë ndaluar në një qytet serb, duke ia kërkuar patentë shoferin, por kur atyre ua ka treguar “lejen” e Kosovës ka pasuar dënimi në vlerë prej 1 mijë euro.

Gazeta Express të hënën ka kontaktuar Ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa, i cili ndaj këtyre praktikave ka paralamëruar kundër-masa.

Mustafa ka thënë se është në dijeni të këtyre rasteve.

Prandaj, ai ka thënë se gjatë mbledhjes së nesërme në Qeveri do ta ngre këtë temë duke i kërkuar qeverisë masa reciprociteti ndaj palës serbe,
ka thënë Mustafa për Gazetën Express.

“Unë jam në dijeni dhe kjo është nismë e shtetit serb, në vazhdën e mosnjohjes së dokumentacionit të shtetit të Kosovës unë nesër në mbledhje të qeverisë kam me ngritë si temë dhe njeherit do kërkoj prej qeverisë të marrim masa të reciprocitetit duke filluar prej mos njohjes së tabelave dhe te gjitha dokumenteve që Serbia nuk na i njeh neve”.