Serbi: Nikolliq thotë se tërhiqet nga gara presidenciale

E publikuar: 21/02/2017 11:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti nacionalist i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se nuk do të garoj në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe se do ta mbështes kandidaturën e kryeministrit aktual, Aleksandar Vuçiq.

“Ne jemi pajtuar që të vazhdojmë së bashku ta udhëheqim vendin”, u tha mbrëmë vonë zoti Nikolliq, mediave lokale, pas takimit me Vuçiqin, dhe ka shtuar se “ne do të diskutojmë për funksione pasi ne t’i fitojmë zgjedhjet”.

Partia Progresive populliste, më 17 të këtij muaji, e ka nominuar Vuçiqin, i cili ka udhëhequr politikë për integrim evropian, që të jetë kandidat i saj në zgjedhjet presidenciale.

Në deklaratën e përbashkët pas takimit, Nikolliq dhe Vuçiq kanë shprehur nevojën për “unitet” për t’i zgjidhur problemet rajonale dhe për t’i evituar krizat.

Megjithatë, në këtë deklaratë nuk theksohet në mënyrë të qartë se Nikolliq nuk do të synoj mandatin e dytë në presidencë.