SBASHK-u, Qeverisë Kurti: Planifikoni buxhet edhe për Ligjin e Pagave, ose do të ketë grevë

E publikuar: 27/02/2020 15:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me një letër, siç e quajnë ata “këshillë publike”, në lidhje me planifikimin e buxhetit për vitin 2020.

SBASHK-u përmes komunikatës për medie i ka kërkuar Qeverisë që në Ligjin për Buxhetin për vitin 2020, të planifikojnë mjetet edhe për Ligjin e Pagave.
Nëse kërkesa e tyre nuk plotësohet atëherë, SBASHK-u ka paralajmëruar se do të përsëritet situata e janarit të vitit të kaluar, ku të gjitha institucionet arsimore në vend kanë qenë në grevë.

“Nëse Ministria për Financa nuk bën planifikime buxhetore për Ligjin e Pagave dhe Qeveria përkrah një ide të tillë, atëherë në tërë sistemin arsimor do të përsëritej situata e janarit të vitit të kaluar, gjegjësisht bazuar në kërkesat e anëtarësisë do të ketë veprime sindikale dhe grevë në nivel vendi nga çerdhet, institucionet e Arsimit Parauniversitar dhe në të gjitha Universitetet publike”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

Në këtë letër po ashtu thuhet se nëse Ministria për Financa nuk bën planifikime buxhetore për Ligjin e pagave dhe Qeveria përkrah një ide të tillë atëherë greva do të nis duke filluar nga çerdhet e deri tek Universitetet publike.

“Mijëra anëtarë të SBASHK-ut besojnë fuqishëm se Kushtetuesja do të jep ndonjë vërejtje, por Ligji i pagave do të nis së zbatuari dhe pastaj Parlamenti do të bëj përmirësimet dhe nëse Ministria për Financa nuk bën planifikime buxhetore për Ligjin e pagave dhe Qeveria përkrah një ide të tillë, atëherë në tërë sistemin arsimor do të përsëritej situata e janarit të vitit të kaluar, gjegjësisht bazuar në kërkesat e anëtarësisë do të ketë veprime sindikale dhe grevë në nivel vendi nga çerdhet, institucionet e Arsimit Parauniversitar dhe në të gjitha Universitetet publike”, thuhet në letër,transmeton Telegrafi.

SBASHK-u thotë se kanë kërkuar takim me kryeministrin Kurti në një kohë sa më të afërt, qoftë edhe në fundjavë, meqë ata do të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm të hënën për të vendosur për hapat që do të ndërmerren tutje.