Samsung në telashe

E publikuar: 10/10/2016 20:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy kompani të telefonisë celulare në SHBA kanë ndaluar zëvendësimet apo shitjet e telefonit Samsung Note 7, pas raporteve të reja se edhe pajisjet e zëvendësuara kanë probleme kritike me bateritë.

Kompanitë AT&T dhe T-Mobile thanë se kanë nisur hetimet për pajisjet difektoze dhe ndërkohë, shitjet e zëvendësimet e tyre për publikun do të ndalen, pasi nuk mund të garantohet siguria. Telashet e kolosit koreano-jugor me pajisjen e tij më të re Note 7 duket se nuk kanë të sosur, pasi mediat raportojnë se Samsung ka ndaluar plotësisht prodhimin e këtij celulari.

Zyrtarisht, Samsung nuk ka komentuar situatën, por zyrtarë të tij pranuan ndalimin e prodhimit të Note 7. Në shtator, firma koreano-jugore tërhoqi shumë prej këtij modeli nga tregu, për shkak të baterisë difektoze që shpërthente apo nxirrte tym. Megjithëse pak ditë më parë kompania raportoi se pajisja ishte e sigurt, nuk kanë munguar raportet për probleme tek ato që ishin zëvendësuar apo riparuar.

Analistët thonë se kjo është një goditje e fortë për Samsung dhe është reflektuar me një humbje prej 4% në bursat aziatike. Kompania koreano-jugore tha se po punon intensivisht për të zgjidhur problemin, por duket se “de facto”, pajisja e saj më e re ka marrë fund dhe zor se do të mund të rifitojë besimin e publikut për të vazhduar shitjet./TCH/