Rusia ndalohet nga Lojrat Olimpike Dimërore të Vitit 2018

E publikuar: 06/12/2017 17:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rusia u përjashtua nga Lojrat Olimpike Dimërore 2018 në Korenë e Jugut. Pas një hetimi 17 mujor, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar arriti në përfundimin se Moska kishte manipuluar me qëllim programin global antidopingut, përmes një komploti të sponsorizuar nga shteti. Zyrtarët rusë kanë reaguar me zemërim, duke e akuzuar komitetin se është bërë pjesë e një fushate kundër Rusisë.

Para marrjes së vendimit nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, skuadrat e hokejt në mbarë Rusinë postuan video në internet me mesazhin: “Duam të shkojmë në Lojrat Olimpike!” Por protestat e tyre ishin të kota.

“Ky manipulim sistematik i sistemit antidoping në Rusi ishte një sulm i paprecedent ndaj integritetit të Lojrave Olimpike, prandaj edhe bordi ekzekutiv i Komitetit pezulloi menjëherë Komitetin Olimpik rus”, – tha Presidenti i Komitetit Olimpik, Thomas Bach.

Vitin e kaluar, drejtori i laboratorit antidoping të Rusisë, Grigory Rodchenkov, pranoi se atletët rusë kishin përfituar nga një skemë dopingu që ndihmohej nga agjencitë ruse të spiunazhit.

“Pothuajse një e treta e medaljeve të fituara nga Rusia në Soçi tani janë hequr”, thotë historiani Philip Barker.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi që atletët rusë që mund të provojnë se janë të pastërt mund të konkurrojnë në Lojrat Olimpike Dimërore 2018 nën flamurin olimpik. Kreu i Komitetit Olimpik rus shprehu optimizëm se përjashtimi do të harrohet shpejt.

“Supozohet që në ditën e fundit të Lojrave Olimpike në Pyeongchang, të gjitha pezullimet do të hiqen nga Komiteti Olimpik Rus, dhe atletët rusë do të mund të ecin nën flamurin rus, së bashku me atletët e tjerë të botës”, – thotë kreu i komitetit rus.

Zhukov është pezulluar si anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ndërsa zëvendës kryeministri rus Vitaly Mutko është përjashtuar nga çdo pjesëmarrje në Lojrat Olimpike në të ardhmen. Si ministër sporti, Mutko akuzohet për mbikqyrjen e programit të dopingut në Soçi.

“Ishte një ndjenjë në vitin 2014 se ata me të vërtetë dëshironin që ato lojëra të ishin më të mirat që kishte pasur ndonjëherë. Natyrisht, donin që një sukses rus të ishte kremi në tortë. Dhe tani e dimë se çfarë rruge ndoqën. ”

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk e përjashtoi Rusinë nga Lojrat Olimpike 2016 në Rio. Përjashtimi nga Lojrat Dimërore 2018 ishte një vendim më i lehtë, thotë zoti Barker.

” Lojërat Dimërore kanë një pjesëmarrje më të vogël. Pra, ndalimi i Rusisë nga këto lojra do të ishte një deklaratë, por nuk do të ishte aq e rëndë sa do të ishte në se ata do të përjashtoheshin nga Lojërat Olimpike Verore në Tokio”.

Megjithatë, prania e Rusisë në lojra do t’u mungojë shumë admiruesve – veçanërisht rivaliteti me ekipin amerikan të hokejt.

“Ishte një konkurrencë që të gjithë e pëlqenin e që ka filluar qysh në vitet 1970 kur u quajt‘mrekullia mbi akull’ – apo siç e quajtën rusët ‘makthi mbi akull’ në liqenin Placid në vitin 1980, kur ekipi amerikan fitoi medaljen e arit”, thotë historiani Barker.

Vendimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar rrezikon të krijojë shqetësime tek organe të tjera të sportit. Zëvendës kryeministri i akuzuar rus Vitaly Mutko është tani organizatori kryesor për Kampionatin Botëror të Futbollit 2018 që do të zhvillohet verën e ardhshme në Rusi.