RTK: Gjuha e përdorur nga Vetëvendosja, paraqet rrezik dhe kërcënim për televizionin

E publikuar: 29/08/2016 14:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës e ka vlerësuar sulmin me bombë në shtëpinë e drejtorit të përgjithshëm, Mentor Shala, pas sulmit në ndërtesën e Televizionit, si përshkallëzim të dhunës, kërcënimit dhe aplikimit të metodave terroriste në qasjen ndaj transmetuesit publik.

“Ne vazhdojmë të besojmë se gjuha e urrejtjes, e përdorur nga forca të ndryshme politike, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje, paraqet rrezik real dhe kërcënim serioz për funksionimin normal të transmetuesit publik. Vazhdimi i përdorimit të asaj gjuhe nuk mund të kuptohet ndryshe, pos si një përpjekje që të legjitimohen dhuna, aktet kriminale dhe terroriste kundër një mediumi”, thuhet në reagim.

Menaxhmenti i RTK-së ka njoftuar se e mbështet plotësisht drejtorin e përgjithshëm, Mentor Shala, në përpjekjet e përbashkëta për funksionimin sa më normal të transmetuesit publik, në kohën kur, përveç sfidave të rrezikshme të sigurisë, po ballafaqohemi edhe me problemet serioze të financimit dhe të pronës.

“Po ashtu menaxhmenti edhe një herë siguron audiencën se RTK, duke mbetur brenda misionit të vet ligjor, do të gjejë fuqi dhe guxim që, në vendimmarrjen e vet menaxheriale dhe editoriale, të mos i nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve, duke mbetur në shërbim të publikut. Ndërkohë, menaxhmenti i RTK-së kërkon nga institucionet e shtetit që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e funksionimit të RTK-së dhe sigurinë e stafit të tij”, thuhet tutje në reagimin e televizionit publik.