Rreziku nga terrorizmi mbledh krerët e institucioneve tek Nishani

E publikuar: 21/11/2015 21:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Që prej orës 19 të kësaj të shtune, anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare janë ulur në tryezë me presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Në orët e vona të pasdites në selinë e Presidencës kanë hyrë kryeministri Edi Rama; kryeparlamentari Ilir Meta; ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri; kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho; ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati; shefi i Forcave të Armatosura; drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe shefi i SHISH, Visho Ajazi.

Mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura, me krerët e institucioneve që po raportojnë para kreut të shtetit mbi masat e marra, raporton tch.

Ministri Tahiri pritet të flasë për masat, ndërsa Ajazi për informacionet që ka në dispozicion Shërbimi Informativ Shtetëror.

Dihet se që prej një jave, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri, ashtu si dhe Garda e Republikës që ka marrë në ruajtje personalitete dhe institucione të rëndësisë së veçantë e ambasada.

Gjithashtu, drejtori i përgjithshëm i policisë, Haki Çako paralajmëroi më herët se ka një listë personash potencialë që po mbahen nën vëzhgim nga efektivët.

Bëhet fjalë për persona të afërt të atyre shtetasve që në vitet e fundit janë larguar në Siri ose Irak e janë bashkuar me njësitë e Shtetit Islamik.