Rrezik serioz për destabilizimin e sigurisë në Kosovë, përfshirja e Rusisë në dialog

E publikuar: 22/05/2020 22:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rusia tashmë edhe zyrtarisht ka shfaqur dëshirën e saj për përfshirje në dialogun Kosovë-Serbi.

Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, ka thënë se në rast se Serbia i kërkon Rusisë që të gjejë një zgjidhje në lidhje me dialogun me Kosovën, atëherë siç është shprehur ai, Moska zyrtare është e gatshme për një gjë të tillë, pasi që sipas tij, perëndimi nuk është duke ofruar një zgjidhje për procesin e dialogut.

Përfshirja e mundshme e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi, po shihet si shumë e rrezikshme nga ana e njohësve të çështjeve politike dhe atyre të sigurisë.

Politologu Ramush Tahiri, ka thënë për lajmi.net se sipas tij tendenca e Rusisë për ndikimin e saj në Ballkan ka filluar qysh në Luftën e Parë Botërore.

Siç tregoi Tahiri, falë Rusisë edhe Serbia është bërë shtet dhe në këtë mënyrë serbët kanë shumë besim te shteti rus.

Tahiri ka thënë se është gabim të mos shihet si i rrezikshëm involvimi i Rusisë në dialog. Ai thotë se Rusia nuk ka asnjë të drejtë që të përfshihet në dialog pasi që Kosova dhe Serbia bisedojnë si shtete.

“Disa nuk po e shohin edhe shumë të rrezikshme kyçjen e Rusisë në vendimmarrjen për fatin e Kosovës sepse po thonë që Rusia është anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe pa e heq Rusia veton ne kurrë nuk mund të bëhemi shtet dhe anëtarë të Kombeve të Bashkuara. Kjo formalisht mund të jetë kështu, por Rusia niset me disa parime në politikën botërore dhe asnjë herë nuk mundet me e bllokua vetëm pse e ka mundësinë me e bllokua sepse edhe shtetet e mëdha, ato 5 shtetet anëtare në Këshill të Sigurimit duhet të kenë një arsyetim kur duan ta bllokojnë një shtet për me ua dhënë rekomandimin për me hy në Asamblenë e Përgjithshme. Dhe formalisht është tash për Rusinë se nuk po pajtohet Serbia dhe pa u pajtua Serbia ne nuk e japim atë vendim. Serbia s’po pajtohet sepse është duke biseduar me Kosovën për çështjen e statusit të Kosovës”, ka thënë ai.

Tahiri tutje thotë se bisedimet teknike për normalizim të raporteve mes dy shteteve, gabimisht po  shihen si biseda për statusin e Kosovës.

“Domethënë, bisedimet që janë nisur teknike për normalizim të marrëdhënieve, po nënkuptohen si biseda për statusin edhe krejt po thonë për neve është e rëndësishme për integrime evropiane me bisedua me Serbinë me normalizua marrëdhënie, me lëshua pe do me thënë me bë kompromis a tjetër është kur bën kompromis në marrëdhënie ndërshtetërore. S’mundesh me bë kompromis me qenien tënde, s’mundesh me bë kompromis në pavarësinë tënde, s’mundesh me bë kompromis në kufijtë e tu, në sovranitet se ajo është pikënisje ti me bisedua me Serbinë. Se nuk je duke biseduar shqiptarët e Kosovës me shtetin serb, por janë duke biseduar shteti i Kosovës me shtetin e Serbisë. Në moment që përcaktohet bisedimi shteti me shtet, krejt çështjet e tjera ti i ke në rend edhe në parim sa i përket edhe marrëdhënieve ndërkombëtare, edhe konventave, politikës edhe gjeo—strategjisë. Do me thënë bisedimet po zhvillohen me lehtësimin e Bashkimit Evropian me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sepse pa përkrahjen e SHBA-ve budallallëk është këta që po e akuzojnë Grenellin edhe presidentin Trump. Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka pasur pavarësi të Kosovës e s’kish pas as intervenim të NATO-s, ne krejt kemi qenë të larguar, Kosova ka qenë e spastruar etnikisht dhe pikërisht NATO-ja neve na ka dhënë edhe shtetin”, u shpreh Tahiri.

Për shkak se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe sovran dhe ka kaluar nëpër shumë faza të ndryshme për ta vërtetuar këtë, Serbia nuk ka asnjë arsye përse të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

“Dhe sa na përket neve si shtet sovran e i pavarur nuk kemi asnjë pengesë mos të na njohë Serbia edhe 100 vjet ose mos me i normalizua marrëdhëniet me Serbinë edhe 100 vjet, nuk ka kurrfarë detyrimi sa i përket lirisë, pavarësisë e sovranitetit. E tash që dëshiron Kosova me u pranua si anëtare e Kombeve të Bashkuara, por Kina deri në ’71-shën nuk ka qenë e pranuar për shkak të rrethanave me Tajvanin e mos me i përmend edhe vende të tjera. Sepse ne jemi shumë më të avancuara se Palestina dhe po e shoh që po e marrin shembull Palestinën e që s’bon të merret se ajo është krejt e na jemi krejt tjetër. Dhe në këtë bazë tash nuk shoh asnjë arsye që çështja e Kosovës me u trajtua si çështje me një rezolutë të re në Këshill të Sigurimit për zgjidhje. Çështja është se Kosova është shtet i pavarur, kemi marrëdhënie me plot shtete, kemi më shumë marrëdhënie se sa që kemi kapacitet për diplomaci, jemi të barabartë kudo në botë në konferencat ndërkombëtare, nuk jemi të anëtarësuara fatkeqësisht në organizata ndërkombëtare sepse kemi regjimin e vizave e kemi plot pengesa që po na bën Evropa për shkak të problemeve të veta e jo për shkak se ne s’po i plotësojmë standardet”, deklaroi Tahiri për lajmi.net, i cili shtoi se, edhe misionet ndërkombëtare kanë dështuar në plotësimin e kushteve që i janë vënë Kosovës.

“Kemi filluar prej 2012-tës për liberalizim të vizave edhe nuk na e kanë dhënë e po ua japin edhe vendeve që s’janë hiq në Evropë e ne këtu i kemi pasur misionin më të madh ndërkombëtar që ai mision është dashur t’i plotësojë, hajde Kosova s’paska ditur, po ai mision është dashur t’i plotësojë kushtet dhe Kosova më pas me e pas liberalizimin e vizave. Por, pse s’po na japin është se po na kushtëzojnë me këto me Serbinë, po na kushtëzojnë që Kosova është shtet por pa i normalizua marrëdhëniet dhe s’duan që Serbia të shkojë kah Rusia se Serbia gjithmonë po kërcënon, atë që ka thënë Edi Rama, që ne e kemi një mik e kemi një alternativë, Kosova s’ka alternativë. Kosova nuk ka alternativë përveç integrimit evropian, Serbia ka alternativë sepse mundet me hy në Euro-Azi në atë bashkësinë e popujve dhe shteteve edhe Serbia ka alternativë se thotë unë dua të hy në Evropë por s’dua me hy në NATO. A Kosova dyja po thotë, edhe në NATO edhe në Evropë, por Bashkimi Evropian edhe NATO-ja po vonohen sepse nuk po duan kinse me nervozua Serbinë këtë që po bën faktikisht edhe Vatikani, nuk po e njeh Kosovën për shkak se thotë se më rrezikohet popullata katolike që e kam në Vojvodinë edhe në vise të tjera. Do me thënë nuk po flasin a është drejt a jo njohja e Kosovës, por po e këqyrin interesin pragmatik”, u shpreh ai.

Tahiri theksoi për lajmi.net, se përfshirja e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi është e panevojshme, pasi që ndërmjetësues në këtë dialog është Bashkimi Evropian.

Ai thotë se edhe përfshirja e SHBA-ve në këtë dialog është mëse e mirëseardhur dhe në asnjë mënyrë nuk guxon dhe nuk duhet të kundërshtohet Amerika në këtë proces.

“Është një parim dhe ne nuk mund të themi se mundet apo nuk mundet një shtet të përfshihet në kuadër të drejtave që janë në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Por me kërkua dikush Rusinë si garant të marrëveshjes është keq për atë arsye se lufta ka përfunduar dhe ne jemi shtet i lire prej 1999 dhe shtet i pavarur jemi prej 2008-tës. Do me thënë Rusia fare nuk ka nevojë me ardhur, as një mbrojtëse e Serbisë e as si garant i marrëveshjes. Sepse dialogu po udhëhiqet me Bashkimin Evropian edhe Bashkimi Evropian ka thënë që ne jemi kryesorët që e fasilitojmë dialogun. Marrëveshjet i bën Kosova me Serbinë, thashë themelore është që delegacioni jonë duhet të thotë se po shkojmë si shtet. Unë s’po e kuptoj edhe Kurtin që po dëshiron të krijojë ekip të unitetit, ne nuk jemi fise të Afganistanit me shkua me ekip të unitetit, ti shkon si shtet, si president, ministër, kryeministër, si kryetar parlamenti. Sepse në momentin që shkon si shtet ti e ki pozicionin e qartë, në momentin që ti shkon përfaqësues atë që e rrëzoj edhe Gjykata, për shembull të Kuvendit, një organ “ad hoc’ i cili ka të drejta përfund kushtetutës ose përmbi kushtetutën me u marrë vesh ajo është gabim. Edhe unë po habitem pse njerëzit tanë në Kosovë nuk po e kuptojnë që mrekulli është që kemi krijua shtet edhe pa marrë parasysh a pajtohesh me Hashim Thaçin, mu apo këndo tjetër, ti duhesh me u pajtua me institucionin, e përfaqëson shteti i Kosovës ai që është në funksion e ratifikon Kuvendi dhe në këtë bazë ne edhe me e dashtë me e kërkuar përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo përfshihet ose jo varësisht prej interesave të veta edhe varësisht prej palëve që janë të interesuara aty. Mirëpo, SHBA gjithmonë janë palë e cila ka ndikim por nuk përfshihet drejtpërdrejt asnjëherë, ani pse edhe ne sa herë që shkojmë në bisedime konsultohemi me përfaqësuesit amerikanë sepse i kemi miq edhe sepse nuk duam dhe duan që të gabojmë, sepse bisedimet i udhëheq për normalizim të marrëdhënieve jo bisedime statusore. Unë po e shoh edhe Albini nuk po e thotë, Vuçiqi po thotë bisedime statusore, askush në Kosovë as Edita Tahiri as askush nuk po thotë nuk bisedojmë për statusin por po bisedojmë për normalizim të marrëdhënieve si dy shtete sovrane të pavarura. Si përmbyllje, jo pse Rusia është e keqe apo e mirë, por sepse Kosova është shtet dhe s’ka nevojë në bisedime me Serbinë me pas ndërmjetës, ne as Evropën nuk e kemi ndërmjetës, e kemi lehtësues, fasilitator i cili na i krijon kushtet dhe vendin neutral ku me bisedua. Ne e përfaqësojmë vetveten, Serbia e përfaqëson vetveten”, theksoi Tahiri.

Në anën tjetër, Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, për lajmi.net thotë se nuk do të ishte aspak mirë përfshirja e Rusisë në këtë proces sa i përket aspektit të sigurisë.

Sipas Ibishit, përfshirja e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi do të shpinte drejt ashpërsimit të mundshëm të një zgjedhje përfundimtare.

Ai thotë se qëndrimi i Rusisë karshi Kosovës dhe Serbisë tashmë dihet botërisht dhe për këtë arsye nuk duhet të përfshihet në këtë proces.

Ibishi ka thënë për lajmi.net, se autoritetet kosovare duhet ta bëjnë të pamundurën që të kundërshtojnë përfshirjen e Rusisë në dialog.

“Mirëpo fatmirësisht tash edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpreh gatishmërinë dhe janë kyçur më një propozim vendimtar që është pritur të bëhet nga mesi i këtij viti, por Rusia ka ngritur edhe ambiciet dhe është kërkesë e vazhdueshme e Serbisë që ajo të involvohet si pala e tretë. Tash të gjithë ne e dimë qëndrimin rus në veçanti ndaj Kosovës, por edhe përgjithësisht tendencat e saj për ndikim apo shtrirje gjeo-strategjike në Ballkan edhe ajo e ka qëllimin e vetëm apo mesazhet e këqija dhe çdo herë do të len mundësinë që të krijojë një konflikt të ri. Mendoj që autoritetet tona duhet me çdo kusht ta kundërshtojnë involvimin e Rusisë sepse ajo është realisht një shtet diktatorial sa i përket edhe rregullimit të sistemit shtetëror sidomos sistemin zgjedhor që kanë. Mendoj që në këtë formë politika e Putinit, por sidomos ndikimi i vazhdueshëm që ajo po e tenton përmes Serbisë në këtë rast nuk ka të bëj me dialogun Kosovë-Serbi, por edhe me gjerë edhe në rajon është përqendrues do me thënë marrës i përkrahjes si në Bosnje me Republika Srbska, por edhe ato çka i ka përmes Kishave Ortodokse serbe edhe kur veç u miratua Ligji për Liritë Fetare në Mal të Zi edhe tash më tutje po ka konflikte gjegjësisht po ka përplasje mes ekstremistëve serbë atje dhe Kishës Ortodokse Serbe dhe Kishës malazeze”, theksoi Ibishi.

Sipas tij, duke e parë këtë por edhe armatimin e vazhdueshëm që i ka bërë Serbisë me armatim të rëndë. Sipas tij, Rusia tashmë përmes qendrave humanitare edhe po e zgjeron prezencën e saj.

“Në këtë aspekt mendoj që involvimi i Rusisë në aspektin e sigurisë ajo në vazhdimësi ka armatosur Serbinë me makineritë më të unifikuara raketore por edhe ato të armatimit të rëndë dhe normalisht dëshiron që ta zgjeroj involvimin e saj edhe në territorin e Kosovës si në aspektin e inteligjencës, por edhe ushtarake por edhe kësaj shtetërore, do me thënë shërbimeve inteligjente edhe realisht ndikimi përmes atyre qendrave humanitare që realisht kohëve të fundit janë bërë me transporte të dyshimta sidomos kjo qendra humanitare apo qendër koordinuese e inteligjencës që është e që s’ka fare të bëj me ndihmat në Nish dhe kjo tregon se ajo (Rusia), në vazhdimësi është apo tenton me çdo kusht ta tregojë prezencën mirëpo ky është varianti më i keq ajo thirrja apo kërkesa që është bërë së fundmi që edhe ajo të involvohet direkt në dialogun Kosovë-Serbi”, u shpreh Ibishi.

Sipas Ibishit, nëse Rusia përfshihet në dialog, atëherë do të ketë destabizilim në aspektin e sigurisë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon

“Mos të harrojmë se kemi edhe çështjen e strategjisë së Ballkanit ku është edhe ish-ministri i Jashtëm Igor Ivanov, mandej është edhe këshilltari i presidentit Putin ku e kanë bërë strategjinë ku tri shtylla nga to drejtpërdrejt kanë të bëjnë me Kosovën edhe tash pra faktikisht është mundësia e përfshirjes së Rusisë në dialog. Përgjithësisht kjo është në aspektin diplomatik mirëpo, edhe në aspektet e tjera si ushtarake e sidomos të inteligjencës janë shumë agresiv në këtë edhe përpjekja që në aspektin gjeo-strategjik të prezencë të Rusisë në Ballkan, do të kishte qenë varianti më i keq pasi që kërkesat e tyre janë që të Kosova të mos fitojë sovranitetin e plotë duke krijuar sisteme të ekseseve në kuptim të asaj që përmes Kishës Ortodokse Serbe me të cilën veç filluan atë protestën në Prizren mirëpo edhe realisht përmes vet ndikimit direkt të saj në Asociacionin e Komunave që sado pak të fitohet një sistem, një autonomi e cila do të jepte pretekst ose një situatë të inskenuar dhe të përsëritet Krimeja apo Gjeorgjia apo diçka tjetër që ndërhyhet me forca ushtarake. E mandej të krijohet një realitet i ri do të kishte qenë i rrezikshëm pra sikurse janë realitet jo vetëm nga ana e Rusisë në Ukrainë e Gjeorgji, por edhe Republika Srbska që në vazhdimësi e rrënon sistemin e rregullimit shtetëror të Bosnjë e Hercegovinës dhe njëkohësisht edhe ekzistencën e saj si shtet i pavarur dhe sovran”, u shpreh Ibishi.

Theksojmë se nga zyra e emisarit special të SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një përgjigje për lajmi.net kanë thënë senuk e kundërshtojnë asnjë shtet që të jetë pjesë e dialogut në rast i njëjti kontribuon me ide që mund të sjellin paqe, stabilitet dhe prosperitet për Serbinë dhe Kosovën.