“70 mësimdhënës në shkollat e komunës së Prizrenit janë me shkollë të mesme” tha në emisionin “Aktuale” në Televizionin e Prizrenit, Bujar Nerjoval, punëtor shumëvjeçar i Arsimit, anëtar i Kuvendit Komunal të Prizrenit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Këtë shifër të Nerjovajt as nuk e pohoi dhe as nuk e mohoi drejtori i ri i Arsimit në Prizren, Zahadin Shemsedini.
Ai pranoi se ka mësimdhënës në shkollat e Komunës së Prizrenit që janë me shkollë të mesme, por shtoi se numrin e saktë nuk e di.
Skender Susuri, njohës i rrethanave dhe zhvillimeve në Arsimin parauniversitar , tha se nuk ka ndonjë rregullore apo ndonjë vendim të veçantë me të cilin këta persona do të mbaheshin në punë si mësimdhënës.
“Ligjërisht asnjë rregullore dhe asnjë vendim nuk i mban këta mësimdhënës në vendet e tyre të punës” tha Susuri.
Këtë e konfirmoi edhe drejtori i Arsimit, Zahadin Shemsedini, i cili u shpreh kategorik se do të reagojë, për të gjitha rastet dhe insistoi se ato duhet të paraqiten nga drejtorët e shkollave.
Në prokurorinë e Prizrenit, është duke u hetuar pikërisht punësimi i paligjshëm në Drejtorinë e Arsimit, në një rast, kur sipas informacioneve të Gazetaere.com, janë mbi 30 dëshmitarë, që dëshmojnë për dyshime për keqpërdorime nga më të ndryshmet.
Të akuzuar janë ish drejtori i Arsimit dhe 5 zyrtarë të tjerë, të cilët vazhdojnë të punojnë në DKA. /Gazetaere.com/