Ronaldo bën tripletë, Atalanta konfirmohet me “5 yje”, Ibra nuk lë shenjë

E publikuar: 06/01/2020 17:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Juventus e nisi mbarë vitin e ri, pasi arriti të mposhtë bindshëm 4-0 Cagliarin në “Allianz Stadium” dhe të shkëputet përkohësisht në krye të renditjes, në pritje të ndeshjes mes Napolit dhe Interit në mbrëmje.

Pasi dështuan në Superkupën e Italisë përballë Lazios, në ndeshjen e fundit për vitin që lamë pas, të besuarit e Sarrit ishin impenjuar maksimalisht pasditen e sotme dhe dominuan takimin gjatë gjithë 90 minutave, duke mbyllur kundërshtarin në gjysmëfushë.

Nga ana tjetër sardët u mbrojtën mirë në pjesën e parë, duke lënë shumë pak hapësira, por një gabim në prapavijë në fillim të pjesës së dytë, u kushtoi shtrenjtë, pasi Cristiano Ronaldo përfitoi maksimalisht dhe dërgoi topin në rrjetë.

Më pas bardhezinjtë arritën të shënojnë edhe tre herë të tjera, me Higuain dhe Cristiano Ronalon që kompletoi sot tripletën personale, duke marrë në shtëpi topin e ndeshjes dhe duke i dhënë 3 pikët skuadrës së tij.

Vijon të dhurojë paraqitje mjaft bindëse Atalanta, që pasi mposhti Milanin 5-0, të njëjtin rezultat e përsëriti edhe pasditen e sotme përballë Parmës, në “Gewiss Stadium”, duke konfirmuar se ka sulmin më të mirë të kampionatit.

Gomez, Freuler dhe Gosens shënuan në pjesën e parë për zikaltrit, por goleada u siglua nga Josiph Ilicic, që shënoi dy herë në pjesën e dytë, ndërsa Atalanta u ngjit në kuotën e 34 pikëve, një më pak se Roma e vendit të katërt.

Milani nuk fiton as me Zlatan Ibrahimovic në fushë, me suedezin që pasi tërhoqi vëmendjen e botës me transferimin te kuqezinjtë, nuk arriti të bëjë asgjë për t’i dhënë skuadrës fitoren në ato 35 minuta që qëndroi në fushë përballë Sampdorias.

Pioli preferoi të nisë ndeshjen me Piatek nga minuta e parë, ndërsa në minutën e 55’të polaku i la vendin Ibrës, por pavarësisht dominimit dhe mundësive për shënim, asnjë prej kuqezinjve nuk arriti të shtyjë topin në rrjetë./tch/