Ribery entuziast për Ancelottin: Trajner fitues

E publikuar: 31/03/2016 23:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bayerni i Mynihut e ka një trajner të ri edhe pse Pep Guardiola nuk është larguar ende nga stoli i kampionëve të Gjermanisë. Carlo Ancelotti do të marrë drejtimin e skuadrës bavareze në fund të sezonit dhe një nga lojtarët më entuziastë për afrimin e italianit është Franck Ribery edhe pse ai ka fituar statusin e të paprekshmit në hierarkinë e trajnerit katalanas.

“E di shumë mirë që është një person shumë i zoti në punën që bën. Mua më ka kërkuar që në periudhën kur drejtonte Chelsean por Uli Hoeness më tha që nuk do të largohesha. Është e sigurt që ka një filozofi të ndryshme nga ajo e Guardiolës dhe ka fituar me shumë klube, prandaj mendoj se do të jetë bukur të punosh me të”.

Një nga çështjet më të nxehta në kampin bavarez është ajo e Mario Gotzes dhe Ribery bën një koment të gjatë.

“Është një djalë i mbarë dhe ke nevojë që të luajë për të fituar sa më shumë besim. Mario bën gjëra të jashtëzakonshme në stërvitje por kjo nuk mjafton sepse duhet të luash në vazhdimësi”.

Në fund, ai shkëput edhe një koment për Kombëtaren e Francës dhe vendimin e tij për t’u larguar përfundimisht nga përfaqësuesja e vendlindjes.

“E kam ndihmuar shumë vendin tim por më pas u dëmtova në shpinë dhe njerëzit e harruan atë që kisha bërë për kombin tim. Ato që janë thënë më kanë lënduar por tashmë është një histori e kaluar”.