Rexhepi: Kërkohen “terroristë” në mesin e grave, pleqve dhe foshnjave

E publikuar: 09/05/2015 16:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Çdo njëri nga “banditët” mund të zihet veç e veç, dhe jo të pritet dhe të përdoret aksioni frontal: “fshi ç’të gjeshë”!.

Kështu i ka komentuar zhvillimet e fundit në Kumanovë kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi duke adresuar kritika të ashpra ndaj pushtetit maqedonas, pasi në Kumanovë kërkon “terroristë” në mesin e grave, pleqve dhe foshnjave.

Sipas tij kur është në pyetje shkelja e shqiptarëve çuditërisht justifikohen të gjitha metodat dhe të gjitha mjetet.Këto vlersime ai i bëri në një intervistë për portalin aktuale.
“Janë nën një rrethim të tmerrshëm, këtë nuk e bën as okupatori klasik! Aty ka gra, pleq, fëmijë, që të gjithë qysh në orët e hershme të mëngjesit janë të rrethuar. Po a kanë nevojë për bukë, për ilaçe? Po ata fëmijë a kanë nevojë për qumësht? Kush atje kërkon “terroristë” edhe në mesin e grave, pleqve e foshnjave?”, thekson ai duke theksuar se kur është në pyetje shkelja e shqiptarëve çuditërisht justifikohen të gjitha metodat dhe të gjitha mjetet. Ai kërkon ndihmë nga faktori ndërkombëtar për të parandaluar katastrofën humanitare.
“Apeloj deri te faktori ndërkombëtar që të ndërhyjë dhe të mos lejojë shkaktimin e ndonjë katastrofe humanitare. Çdo njëri nga “banditët” mund të zihet veç e veç, dhe jo të pritet dhe të përdoret aksioni frontal: “fshi ç’të gjeshë”! Me këtë luftë nuk demonstrohet kujdesi për rend dhe siguri por, demonstrohet urrejtja institucionale kundër shqiptarëve dhe, përgjithësisht, kundër myslimanëve”, thekson Rexhepi duke shtuar se tani është koha që të gjithë liderët shqiptar të flasin me një gjuhë.
“Politikanët tanë gjenden para një sprove shumë të madhe: duhet t’i lënë manash të gjitha interesat, të gjitha kapriciet e mosmarrëveshjet dhe të bëhen një në qetësimin e situatës, në përpjekjet për ta qetësuar dhe për ta shpëtuar popullatën tonë. Nuk guxojmë që të bëhemi pre e skenaristëve dashakëqij. E lus Zotin Fuqiplotë që nga kjo situatë të dalim me sa më pak viktima dhe të keqtrajtuar. Zoti e ndihmoftë popullin tim dhe i dhëntë mend atyreve që kanë ngelur pa to.”, thekson mes tjerash kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi./zhurnal/