Republika Çeke përkrah perspektivën e rajonit drejt integrimit Evropian

E publikuar: 02/04/2019 12:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, takoi Emisaren e veçantë të Ministrisë së Jashtme të Çekisë për Ballkanin Perëndimor, znj. Janina Hrebickova, me të cilën diskutoi për procesin integrues të Kosovës dhe të ardhmen evropiane të rajonit.

Ministrja Hoxha theksoi që e ardhmja e Kosovës mbetet ngushtë e lidhur me integrimin tonë në BE dhe në përqafimin e vlerave euro-atlantike. Më tej, ajo shtoi që perspektiva jonë evropiane por edhe e gjithë rajonit është konsensus i brendshëm i të gjitha shteteve anëtare gjë që është rikonfirmuar në strategjinë e zgjerimit te BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Znj. Hrebickova vlerësoi të arriturat e Kosovës në procesin integrues në zbatimin e MSA-së dhe reformat e ndërmarra duke theksuar se Republika Çeke do të vazhdoj të mbështesë Kosovën  si pjesë e perspektivës integruese të Ballkanit Perëndimor duke mos përjashtuar asnjërin vend.

Ministrja Hoxha e falënderoi Znj. Hrebickova për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës çeke ndaj Kosovës dhe rajonit./Infosot/