Real Madridi fiton derbin ndaj Valencias

E publikuar: 01/12/2018 22:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Real Madridi ka fituar me rezultat 2-0 ndeshjen derbin të javës në La Liga ndaj Valencias.

Mbretërit i janë kthyer fitores në kampionat, duke mposhtur Valencian në ndeshjen derbi të vlefshme për javën e 14-të në La Liga.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim nga vendasit e Realit, të cilët arritën të shënojnë edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e tetë të ndeshjes, ku Daniel Wass shënoi autogol pas harkimit të Dani Carvajlit për epërsinë 1-0 të Realit.

Carvajal duke iu gëzuar golit të parë të Realit (Foto: Gonzalo Arroyo Moreno/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e barabartë, me Valencian që pati disa raste për të barazuar rezultatin, por me Realin që shënoi dhe mbylli ndeshjen.

Luhej minuta e 83-të e ndeshjes kur Lucas Vazquez shënoi për 2-0 pas asistimit të Karim Benzemas dhe vulosi fitoren dhe rezultatin përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Mbretërit ngjiten në vendin e pestë me 23 pikë, ndërsa Valencia renditet e 13-ta me 17 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Reali luan në udhëtim te Huesca, teksa Valencia e pret Sevillan në Mestalla. /Telegrafi/