Rasti “Stenta”, kardiologu thotë se ish-ministri Agani është dashur ta ndëshkojë menaxhmentin në QKUK për mos punë

E publikuar: 05/07/2018 20:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me një organizim më të mirë të Klinikës së Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të gjitha operimet që janë kryer në spitale private kanë mundur të bëhen edhe në QKUK, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur për shkak të mos punës së menaxhmentit në këtë qendër.
Kjo ishte deklarata që mjeku Tefik Bekteshi e dha në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku për vepra të korrupsionit po akuzohen, ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani.

Bekteshi, i cili si dëshmitar është propozuar nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), tha se menaxhmenti i atëhershëm i QKUK-së është dashur të ndëshkohej për mos punën e tij nga ana e ministrit Agani, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Dëshmitari Bekteshi, i cili tha se vullnetarisht ishte paraqitur në Prokurori për të dhënë deklaratë pasi që në media ishte paraqitur rasti i njohur si “Stenta”, fajin për mos kryerjen e operimeve në QKUK e la në menaxhmentin e QKUK-së, pasi siç tha, me një staf pak a shumë të njëjtë por me një menaxhment të ri, tashmë të gjitha operimet kryhen në QKUK.

Për më tepër, Bekteshi tha se aparati për koronarografi ishte blerë qysh në vitin 2004, mirëpo i njëjti kishte qëndruar në depo deri në 2006, pastaj, edhe pse ky aparat në vitin 2006 ishte vendosur në QKUK dhe ishte përuruar edhe salla e operacionit, intervenimet kishin filluar tek në vitin 2008.

Kjo siç tha Bekteshi kishte ndodhur pasi që menaxhmenti nuk kishte lejuar fillimin e punës, dhe i njëjti menaxhment nuk ishte ndëshkuar asnjëherë për mos punën e tij.

“Pandëshkushmëria për atë menaxhment ka qenë problem dhe jo vetëm në këtë rast, por pandëshkushemëria për mos punë është problem në përgjithësi në shoqëri pasi që nëse nuk ka ndëshkim për mos punë atëherë lejohet të vazhdohet një situatë e tillë”, tha Bekteshi, raporton “Betimi per Drejtesi”.

Tutje, dëshmitari Bekteshi tha se gjatë kohës sa kishte punuar në QKUK, deri në vitin 2014, nuk kishte pasur qytetarë që ishin paraqitur me ankesa të llojit që kanë dyshuar nëse të njëjtëve u ishin vendosur stendat apo jo kur për periudhën 2014-2017, Bekteshi tha se nuk ka punuar në QKUK.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale, Florije Salihu-Shamolli, se si do ti kishte udhëzuar në raste të tilla pacientët, Bekteshi tha se një gjë e tillë ka mundur të bëhet me anë të angiografisë dhe CT, mirëpo, si dukuri, mos vendosja e stendave, sipas tij, është dukuri shumë e rrallë.

“Unë vet nuk i kom udhëzu pacientët që të shkojnë për verifikimin por vetëm ju kam kallxu rrugën siç duhet”, deklaroi Bekteshi.

Bekteshi gjithashtu gjatë dëshmisë së tij tregoi edhe për një memorandum që kishte pasur mes QKUK-së dhe një spitali privat, të cilit iu referua si “spitali turk”, për trajtimin e pacientëve të cilët nuk mund të trajtoheshin në QKUK.

Për më tepër, ky memorandum siç tha dëshmitari, ishte vendosur në qendrën e emergjencës dhe një gjë e tillë sipas dëshmitarit, kishte qenë edhe fyerje për të personalisht.

“Ky memorandum ka qenë i vendosur në një vend ku mjeku ka mundur të shoh non-stop dhe unë pata insistu që i njëjti mu largu nga aty dhe të vendoset në arkiv. Për mu ka qenë fyerje një memorandum i tillë mu tërë kohën nga ana e mjekut”, deklaroi Bekteshi.

Dëshmitari përmendi po ashtu një mbledhje që ishte mbajtur në QKUK, pa e përcaktuar datën se kur, e ku menaxhmenti i atëhershëm i kishte informuar mjekët se mund të udhëzojnë pacientët në spitale private.

Ushtrues detyre i drejtorit në atë kohë në klinikë kishte qenë Bedri Zaiti, i cili gjithashtu është i akuzuar në këtë rast, mirëpo, ndaj tij dhe të akuzuarve tjerë është veçuar procedura.

“Në atë mbledhje, kam qenë unë dhe mjeku Kelmend Pallaska të vetmit që kemi kundërshtuar një gjë të tillë që pacientët të udhëzohen në spitale private, pasi me pak organizim më të mirë, këto raste do të mund t’i trajtonim në QKUK. Si reagim unë e pata leshu atë mbledhje”, deklaroi Bekteshi.

Pikërisht, pas mbajtjes së kësaj mbledhje, Bekteshi tha se ka filluar ai fluksi i pacientëve në drejtim të spitaleve private.

Në pyetjen e gjykatësit, Mustafë Tahiri, se në rastet kur në QKUK nuk janë bërë intervenimet në zemër, çka ka ndodhur me pacientët, dëshmitari Bekteshi tha se mjeku kujdestar pasi që e ka pranu pacientin dhe nëse ka dyshu se tek i njëjti ka ndonjë infarkt akut, atëherë, mjeku ka mundur t’i udhëzojë pacientët në spitale private.

E në një spital privat, konkretisht në spitalin “Intermed – EDA”, tha se ka punuar edhe vet dëshmitari Bekteshi, mirëpo, i njëjti tha se sa i kujtohet nuk ka punuar me pacientë të QKUK-së.

Një ndër problemet se pse shpeshherë nuk janë kryer intervenimet në QKUK, dëshmitari e përmendi edhe mungesën e materialit shpenzues si dhe prishjen e aparateve.

“Për mirëmbajtjen e një pjese të aparaturës në QKUK kanë qenë përgjegjës, inxhinierët e QKUK-së, mirëpo për një pjesë tjetër si p.sh. aparatin e angiografisë mirëmbajtja ka shkuar përmes kontratave të servisimit. Ka pas raste që për rregullime që është dashur të kryhen brenda 24 ose 48 orëve, rregullimi të zgjat edhe me muaj”, tha në dëshminë e tij, Bekteshi.

Pyetje dëshmitarit i parashtroi edhe ish-ministri Agani, i cili dëshmitarin e pyeti se a mendon që ka pasur angazhim nga ana e pjesës politike të MSH-së për përmisimin e gjendjes në kardio-kirurgji.

“Aktivitet ka pasur shumë nuk mund të mohohet, mirëpo rezultat në terren nuk ka pasur” – ishte përgjigja e dëshmitarit Bekteshi.

Po ashtu, dëshmitari pohoi se me ministrin Agani kishin diskutuar edhe për punën e skadimit të afatit të stendave, kur për një gjë të tillë u pyet nga e Aganit.

Mirëpo, në anën tjetër Bekteshi mohoi se ka pranuar një vendim të ish-ministrit Agani me të cilin vendim, Bekteshi ishte emëruar si udhëheqës i kardiologjisë invazive.

Vendimi me numër 136/2012, i marr siç tha Agani në korrik të vitit 2012, dëshmitari tha se nuk e ka pranuar asnjëherë dhe nuk është në dijeni për të.

Dëshminë e tij në seancën e së enjtes e dha edhe ish-drejtori për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Shëndetësisë, Musa Rexhaj, i cili tha se shëndetësia asnjëherë nuk ka qenë prioritet për asnjë qeveri.

Rexhaj tha se ka dëgjuar për marrëveshjet që ishin me spitalet private International Medicine Hospital dhe Intermed EDA, mirëpo, këto marrëveshje sipas Rexhaj nuk kishin asnjë efekt pasi që në fund të fundit, pacienti ka vendosur vetë se në cilin spital dëshiron të shkojë.

Kur u pyet nga ana e prokurores Salihu-Shamolli, se cilat ishin kriteret që pacientët mu drejtua në këto spitale private, Rexhaj tha se kriteret kanë qenë të përshkruar në një udhëzim administrativë.

“Kriteret janë parapa me udhëzim administrativë dhe ndarja e mjeteve është bërë në bazë të çmimit më të ulët. Pra fillimisht, është dashur që mjekët të konstatojnë që pacientët nuk mund të trajtohen në spital publik pastaj, pacientët është dashur t’i drejtohen Ministrisë së Shëndetësisë ku ka qenë një komision prej pesë mjekësh dhe nëse ky komision kishte me aprovuar kërkesën e pacientit atëherë lënda shkonte në bord për aprovim” – tha Rexhaj në dëshminë e tij.

Ky bord, siç tha Rexhaj përbëhej nga 15 anëtarë dhe udhëhiqej nga ana e sekretarit të MSH-së dhe pas miratimit nga ana e bordit atëherë duhej edhe nënshkrimi i sekretarit, kurse në rast se vlera e kërkesës ishte mbi 10 mijë euro, atëherë do duhej edhe nënshkrimi i ministrit.

Të gjitha këto pagesa, Rexhaj tha se kanë qenë subvencione dhe të njëjtat nuk i janë nënshtruar ligjit për prokurim publik.

Ndarja e mjeteve për pacientët siç tha dëshmitari, ka qenë 70 % ministria dhe 30 % pacienti.

Tutje, dëshmitari tha se ngjashëm sikurse në kohën sa ishte ministër tashmë i akuzuari Ferid Agani është vepruar edhe në kohën e ministrave të tjerë të MSH-së, sikurse që ishin Bujar Bukoshi dhe Alush Gashi.

Kur u pyet nga ana e prokurores Salihu-Shamolli se a ka pas mundësi që pacientët që janë udhëzuar në spitale private, të trajtohen në QKUK, dëshmitari Rexhaj tha se për mendimin e tij, aparaturat kanë qenë të vjetra dhe të pa mirëmbajtura në QKUK.

Mirëpo, dëshmitari tha se tërheqja e parave nga linja e subvencioneve për tek investimet kapitale, në mënyrë që të investohej për aparatura në QKUK, ka qenë proces që ka shkuar përmes Ministrisë së Financave dhe kjo, vetëm nëse do të kishte suficit tek subvencionet.

Ndryshe, ky është një ndër rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave, të cilat janë duke u trajtuar me prioritet nga gjykatat në Kosovë dhe pikërisht ky fakt bëri që edhe seanca e së enjtes të mbahet përkundër grevës në të cilën janë futur punëtorëve e administratës së gjykatave dhe prokurorive.

Seanca do të vazhdojë edhe nesër ku pritet që dëshminë e tyre ta japin edhe tre dëshmitarë.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani, të cilët nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt të këtij viti.

Në shqyrtimin fillestar të 26 shkurtit, po ashtu ishte bërë e ditur nga gjykatësja e këtij rasti, Shadije Gërguri, që të akuzuarit Agani dhe Shabani tash e tutje do të vazhdojnë të gjykohen veçmas nga të akuzuarit tjerë, të cilët do të gjykohen në dy procedura të tjera.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.