Rasti “Medicus”, mbrojtja kërkon edhe një herë rigjykim

E publikuar: 06/11/2018 22:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas dënimit me 7 vjet e gjysmë burg dhe 8 mijë euro gjobë të urologut kosovar Lutfi Dervishit, dhe dënimit me një vit burgim me të cilin u dënua Sokol Hajdini, për rastin e njohur si ‘Medicus’, në gjykatën e Apelit janë shqyrtuar ankesat dhe është kërkuar për herë të dytë rigjykimi.
Mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Dervishi, avokati Besnik Berisha, tha për kallxo.com, se aktgjykimi i cili është marrë ndaj Lutfi Dervishit kishte shkelur parimet e drejtësisë dhe se pret që ky rast të kthehet edhe një herë në rigjykim.

“Ankesa është parashtruar për shkak se aktgjykimi kundër z. Dervishi në këndvështrimin tonë është i kundërligjshëm, shkel në mënyrë flagrante parimet e njohura të drejtësisë siç është parimi res judicata, parimi in dubio pro reo dhe parimi reformatio impeus. Mbi të gjitha cenon barazinë e armëve në procedurë dhe për pasojë kemi edhe një sanksion të kundërligjshëm lidhur me z. Dervishi, andaj si rezultat i këtyre shkeljeve, presim që Gjykata e Apelit ta anulojë aktgjykimin dhe çështjen ta dërgojë në rigjykim”, tha avokati Berisha.

Në muajin maj të këtij viti Lutfi Dervishi u dënua me 7 vjet e gjysmë dhe një gjobë prej 8 mijë euro, ndërsa me një vit u dënua Sokol Hajdini.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Në vendimin e 24 majit 2018, kryetarja e trupit gjykues Francesca Fischer, ka thënë se është provuar përgjegjësia e Dervishit në akuzat me të cilat ngarkohej.

“Është provuar se Lutfi Dervishi, si pronar i klinikës ‘Medicus’ duke e ditur se klinika ‘Medicus’ nuk ka poseduar leje për ndërhyrje të transplantimit dhe duke ditur se transplantimi ka qenë i ndaluar, në bashkëpunim me persona të tjerë me mjete të mashtrimit dhe keqpërdorimit të pozitës së ndjeshme ka rekrutuar së paku 7 persona, ka strehuar dhe operuar ata në klinikën ‘Medicus’ me qëllim të shfrytëzimit dhe marrjes së veshkave dhe i ka transplantuar ato organe te personat pranues”, tha Fischer gjatë leximit të arsyetimit të aktgjykimit.

Tutje sipas gjyqtares Fischer është provuar se Dervishi si një anëtar i një organizate kriminale ndërkombëtare, e cila ka funksionuar si një grup i strukturuar që nga data 2 janar 2008 deri në nëntor 2008, në rolin e tij si pronar dhe menaxher në klinikën “Medicus” si kirurg dhe ndihmës-kirurg në disa prej operacioneve të transplantimit së bashku me persona të tjerë të njohur dhe të panjohur nga Turqia, Izraeli dhe Ukraina ka kryer veprën penale trafikim me njerëz, duke organizuar transportin e tyre nga vende të ndryshme e pastaj së bashku me persona të tjerë nga Kosova dhe jashtë vendit kanë bërë transplantime në klinikën “Medicus”.

Dënimet erdhën pasi që rasti ndaj tyre ishte kthyer në rigjykim.

Më parë Dervishi për këtë vepër penale ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.