Rasti i shënjestruar për viza, japin fjalën hyrëse 41 të akuzuar për krim të organizuar

E publikuar: 22/11/2018 15:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi ndaj 41 personave të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra të ndryshme penale, në mesin e të cilave edhe për krim të organizuar.
Sipas akuzës së prokurorisë këta të akuzuar në mënyrë të sofistikuar kishin arritur të organizojnë tri skema të punës apo më saktë: import të kundërligjshëm përmes mosdeklarimit të saktë të mallrave të llojit cigare dhe kontrabandimit të tyre, kontrabandimit të produkteve farmaceutike dhe stimuluesve seksualë të llojit “Kamagra” dhe “Viagra”, raporton kallxo.com.

Me rastin e mbajtjes së seancës gjyqësore kanë paraqitur fjalën hyrëse edhe 36 avokatët e të pandehurve të mbetur nga seanca e kaluar.

Mbrojtësit e të akuzuarve avokatëve Agim Lushta, Ali Rexha, Kushtrim Bytyqi, Hasim Loshi, Kada Bunjaku, Gzim Baloku, Halil Derguti, Skender Musa , Leonora Dervishaj, Kadri Osaj, Berat Peci, Irfan Zushi, Diar Dinaj, Burim Prestreshi, Jusuf Mejzini, Gazmend Ismaili, Shqipe Mehmeti, Fatmire Braha, Behar Ejupi, Besart Kadriu, Xhemajl Jusufi, Sylejman Bajra, Elza Bajrami, Valon Mehmeti, Faruk Korenica, Zeqir Maxhuni, Bashkim Mehana, Zyhdi Axhemi, Elvir Imeri, Falon Krasniqi, Fitim Vokshi, Uvejs Gashi, Shqiponje Dinaj, Lirim Perquku, Zehra Verbovci, e kanë dhënë fjalën e tyre disa e kanë dorëzuar në mënyre të shkruar ndërsa disa e kanë elaboruar edhe me gojë para trupit gjykues.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga kryetar Burim Ademi dhe anëtarë Avni Mehmeti dhe Sinisha Mandushiq.

Avokatët mbrojtës të të akuzuarve gjatë dhënies së fjalës hyrëse e kanë konsideruar aktakuzën e prokurorisë speciale si të përgjithësuar dhe të paarsyetuar mirë.

Ata po ashtu kanë përmendur faktin se prokuroria speciale nuk e ka argumetuar mirë as ekzistimin e një grupi kriminal siç pretendon vetë ajo.

Sipas avokatëve mbrojtës ky argumetim do të rezultojë me vërtetimin se të mbrojturit të tyre janë të pafajshëm dhe se ndaj tyre Gjykata do të marrë aktgjykim lirues.

Në këtë rast për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar janë të akuzuar edhe tre zyrtarët doganor Vladislav Trajkoviq, Mensur Bekteshi dhe Ramadan Bajra.

Mbrojtësi i të akuzuarit Vladislav Trajkoviq, avokati Zyhdi Axhemi në fjalën e tij hyrëse deklaroi se sipas tij, aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është mbështetur në fakte të pabazuara, se mungon dyshimi dhe shkaku i bazuar, qasja reale, përshkrimi i artikulueshëm mirë dhe detaje të tjera, të cilat në asnjë mënyrë nuk e vërtetojnë fajësinë e të mbrojturit të tij, zyrtarit doganor Vladislav Trajkoviq, raporton kallxo.

Avokati Axhemi po ashtu ka thënë se Dogana e Kosovës, prokurorisë i ka dorëzuar prova të pamjaftueshme për çfarë siq u shpreh ai “ Nuk e ka ushqyer mirë Prokurorinë me fakte ”.

Fjala hyrëse e avokatit Zyhdi Axhemi, u përkrah edhe nga mbrojtësi i zyrtarit tjetër doganor Mensur Bekteshi, avokati Elvir Ademi, i cili u shpreh se gjatë administrimit të vetë provave të propozuara nga prokuroria, do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij, dhe fakti se i njëjti nuk ka të bëjë fare me pjesëmarrje në ndonjë grup të organizuar kriminal.

Kurse për zyrtarin tjetër doganor Ramadan Bajra, avokati Fanol Krasniqi, fjalën hyrëse e ka dorëzuar me shkrim.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, të akuzuarit nga janari 2015 deri më 22 mars 2016 me dashje, me dijeni, në mënyrë të qëllimshme dhe në grup të organizuar kanë kryer vepra penale që janë të dënueshme me burgim së paku katër vjet.

Gjithashtu, të akuzuarit në mënyrë të sofistikuar kishin arritur të organizojnë tri skema të punës apo më saktë: import të kundërligjshëm përmes mosdeklarimit të saktë të mallrave të llojit cigare dhe kontrabandimit të tyre, kontrabandimit të produkteve farmaceutike dhe stimuluesve seksualë të llojit “Kamagra” dhe “Viagra”.

Në këtë mënyrë Argëtim Ismaili, Armend Smaili, Arben Ismaili, Shkumbim Ismaili, Afrim Rrustolli, Besim Biberoviq, Mursel Çalakoviq, Bahri Rexhepi, Liridon Borovci, Haki Isufi, Radisav Mutavxhiq, Milan Stojanoviq, Mirko Iliq, Ramush Salihu, Zekri Salihu, Shkëlzen Salihu, Ismet Zeqiri, Blerim Avdylaj, Kujtim Avdylaj, Nexhmedin Bajrami, Dukagjin Kollçaku, Ardian Rraci, Ahmet Syla, Ruzhi Kolica, Afrim Hoti, Imri Bajrami, Alban Islami, Nimon Zogaj, Nezir Zogaj, Afrim Xhaçkaj, Rinor Rrustolli, Arben Rrustolli, Lulzim Kastrati, Gazi Tarashaj, Artan Kurpalaj, Florim Krasniqi, Reshat Kamberaj, Endrit Kllokoqi, Ramadan Mehmeti, Hasan Rexhepbeqaj, Zenel Isufi dhe Xhemail Islami akuzohen se në grup të organizuar duke u shmangur nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore apo tarifave të tjera me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave të llojit cigare, produkte farmaceutike dhe stimuluesve seksualë që rezultojnë me shmangie të përgjithshme doganore në shumë prej 1.666.842.07 euro dhe njëkohësisht duke iu shmangur obligimeve tatimore për mallrat e lartcekura dhe mosdeklarimit të saktë të pasqyrave financiare që rezultojnë në shumën prej 2,430,620.16 e që njëkohësisht është përfitim i kundërligjshëm gjatë periudhës së aktiviteti kriminal të këtyre të pandehurve të lartcekur.

Në këtë grup të akuzuar janë edhe zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Jarinjes Mensur Bekteshi, Vladislav Trajkoviq dhe Ramadan Bajra, që në këtë proces gjyqësor akuzohen për keqpërdorim detyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të gjithë këta e kanë ditur që janë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, për çka mund të dënohen me burgim mbi katër vite, mirëpo prapë kanë realizuar dëshirën e tyre me qëllim të realizimit të dobisë financiare, apo dobisë tjetër pasurore, raporton KALLXO.

Në 19 pika të aktakuzës është përshkruar veç e veç veprimi i secilit prej të akuzuarve.

Seancat e radhës u caktuan të mbahen më 14 dhe 15 janar 2019.