Rashicës s’i intereson për penalltinë e humbur, i gëzohet fitores

E publikuar: 13/06/2020 22:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ylli i Kosovës, Milot Rashica, është shprehur i lumtur për fitoren e Werder Bremenit kundër Paderbornit në Bundesligë, ndërsa ka preferuar të mos e komentojë fare penalltinë që e humbi në këtë ndeshje.

Pasi mungoi në ndeshjen e fundit të Werder Bremenit shkaku i një lëndimi në kyçin e këmbës, Milot Rashica u kthye në fushën e lojës sot, për përballjen mes dy ekipeve në fund të tabelës, raporton Gazeta Express.

Werder Bremeni arriti ta fitojë këtë ndeshje kundër Paderbornit me rezultat bindës 5:1, duke mbajtur kështu gjallë shpresat për mbijetesë, veçanërisht pasi që Fortuna Dusseldorfi u mposht me rezultat 1:0 nga Borussia Dortmundi.

Në këtë fitore të Bremenit, Rashica nuk arriti të kontribuojë aq sa do të kishte dashur dhe e mbylli ndeshjen me notën më të ulët nga e gjitha skuadra e tij, sipas SofaScore. Mirëpo, Rashica u shpreh i lumtur me fitoren e sotshme.

“Ishte me shumë rëndësi sot. Edhe tri ndeshje deri në fund. Vazhdojmë të luftojmë”, shkroi Rashica mbi foton e publikuar në Instagram, pas ndeshjes.

Pas 59 minutave lojë, kur trajneri vendosi ta zëvendësojë, Rashica e pati vetëm një rast për të shënuar – penalltinë e minutës së 16-të, të cilën e humbi. Në shtatë ndeshjet e zhvilluara që nga rinisja e kampionatit në Bundesligë, Rashica ka arritur të kontribuojë vetëm me një asist dhe me asnjë gol.