Ramiz Lladrovci sërish në terren, ndalon punimet për rregullimin e kanalizimit (VIDEO)

E publikuar: 22/06/2017 23:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, doli sot në terren për t’u përballur me kompaninë “Qaza”, që ishte kontraktuar për të kryer punimet e kanalizimit në rrjetin Gllobar-Likoshan.

Ai tha se me testet e cilësisë së gypave që komuna i ka bërë në laborator ata kanë dalë se janë të cilësisë më të dobët nga sa është standardi i kontratës.
“Operatori në fjalë, operatori ‘Qaza’ ka filluar punimet për kanalizimin e fshatit Gllobar dhe Likoshan dhe në segmentin afërsisht 200 metra i kemi ndaluar punimet për shkak se gypi nuk i plotëson kushtet dhe standardet e nënshkruara në kontratë dhe paramasat që i ka pasur në tender. Tash kërkojmë nga operatori që ta tërheq gjithë këtë pjesë të gypit dhe ta sjellë gypin për cilin ka konkurru”, tha Lladrovci.
Në vendin ku është bërë pezullimi i punimeve Lladrovci i dha ultimatum kompanisë që të sjellë gypat e rinj ose t’i ndërpritet kontrata me Komunën.
Në anën tjetër përfaqësuesit e kompanisë në bisedë me Lladrovcin u arsyetuan se për gypat e përdorur kishin marrë garancion nga kompania prodhuese të cilët testin e cilësisë e kishin bërë në të njëjtin laborator si komuna.
Për këtë Lladrovci konsideron se kompania që e ka fituar tenderin duhet të merret ligjërisht me kompaninë që i ka shitur gypat.
Pronari i kompanisë “Qaza”, Xhevat Gorani tha se do të kërkojnë nga kompania prodhuese kompensim për ndërrim të gypit.
“Për shkak të testeve që nuk kanë dalë 2.2 për qind, nuk e kanë mbërri standardin (Lladrovci) thotë që duhet me i heq gypat, mi shti gypat tjerë. Nëse nuk na hjek shpenzimet të cilat pi lyp kryetari për ta ndërru gypin duhet të na kompensojë kompania prodhuese, nëse nuk ka kompenson ne duhet ta ndërrojmë gypin dhe të fillojmë me punime”, tha Gorani. /KALLXO.com/