Rakiq: Nuk do të lejojmë që kukullat serbe të udhëheqin me veriun

E publikuar: 10/04/2019 15:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Lista Serbe ka vendosur që të shkojë në zgjedhjet e 19 majit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit më 19 maj.

Gjatë ditës së sotme përfaqësuesit e Listës Serbe, janë takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, rreth pjesëmarrjes së tyre në këto zgjedhje.

Siç bëjnë të ditura mediet serbe, transmeton lajmi.net, serbët tashmë kanë vendosur që të shkojnë në këto zgjedhje.

Pas takimit, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se arsyeja përse vendosën që ata të shkojnë në zgjedhje është se nuk do të dëshirojnë që shqiptarët të udhëheqin me veriun dhe se sipas tij, nuk do të lejojnë që as serbët siç i quajti ai, “kukulla” të Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare të udhëheqin me veriun.

“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga Kosova as nga shteti ynë i Serbisë, sepse nuk kemi shtet tjetër. Është e rëndësishme që nuk do të lejojmë Prishtinën apo bashkësinë ndërkombëtare që të sjellë shqiptarë apo kukulla serbe në këto pozita politike për të bërë atë që ata i thonë atyre”, deklaroi Rakiq në konferencën për medie, transmeton më tutje lajmi.net.

Ai urdhëroi që Lista Serbe të bashkëpunoj me Serbinë dhe të jetë unike.

“‘Ne nuk do të jemi kukulla”. 90 për qind e votave në zgjedhjet e kaluara nuk na japin të drejtën të heqim dorë. Do të luftojmë për mbijetesën dhe kthimin e popullit tonë në Kosovë”, tha Rakiq.

Ndryshe në nëntor të vitit të kaluar, katër kryetarët e komunave veriore kishin dhënë dorëheqje si shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës për mallrat me origjinë serbe. /