QKUK alarmohet nga skandali i verbimit të fëmijëve

E publikuar: 09/02/2016 10:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sëmundja e retinopatisë, që besohet se për gjashtë vjet ka mundur të verbojë rreth 200 fëmijë kosovarë, është tejkaluar në Evropë në vitet e 40-ta.

SHSKUK-ja është mobilizuar pas artikullit të “Zërit” për të bërë një zgjidhje, që fëmijët të mos verbohen

Hulumtimi i publikuar në “Zëri” në lidhje me verbimin e fëmijëve kosovarë për shkak të mosrespektimit të protokolleve mjekësore për sëmundjen e retinopatisë premature ka ngjallur reagime të menjëhershme të menaxhmentit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Prindërit kanë filluar të njoftohen më në detaje për pasojat e sëmundjes, për çka janë bërë edhe njoftime në Klinikën e Neonatologjisë, që nuk kanë ekzistuar më parë.

Drejtori i SHSKUK-së, sipas zëdhënësit Shpend Fazliu, menjëherë është angazhuar në kërkim të informacioneve të detajuara nga Klinika e Oftalmologjisë dhe Klinika e Neonatologjisë në lidhje me publikimin e bërë në “Zëri”.

“Të njëjtën kohë jemi në dijeni se Inspektorati Shëndetësor po inspekton gjithë dokumentacionin mjekësor në lidhje me trajtimin e këtyre fëmijëve”, ka thënë zëdhënësi Fazliu, sipas të cilit momentin që organet tjera fillojnë hetimin, atëherë ato janë kompetente për të bërë vlerësimin.

“Dhe ne presim rezultatet e inspektimeve dhe do të shohim si do të procedohet tutje kjo çështje”, ka thënë Fazliu. /Zëri/