Qeveria e Zvicrës me program mbështetës për shëndetësinë kosovare

E publikuar: 26/03/2015 20:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani takoi përfaqësuesit e organizatës të “Swiss Tropicaland Public Health Institute” Zvicër, dhe të “Save the Children” në Kosovë, të cilat janë të mandatuara nga Qeveria e Zvicrës – Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, të implementojnë një program mbështetës në shëndetësi për kujdesin primar në Republikën e Kosovës.

Në këtë rast Sekretari dr. Shabani, shprehu falënderime në emër të MSh-së për Qeverinë e Zvicrës dhe të gjithë atyre që po kontribuojnë në mbështetje të zhvillimit të sektorit shëndetësor si në fushën e trajnimit të mjekëve ashtu edhe në fushën infrastrukturore shëndetësore.

“Jemi të vetëdijshëm se çdo dikaster e ka rëndësinë e saj dhe ka nevojë për ta mbështetur, por mendimi im është që shëndeti i popullsisë është primar, andaj çdo ndihmë e juaja është e mirëseardhur dhe do ta keni bashkëpunimin tonë të fuqishëm që të mos kemi asnjë pengesë sa i përket përgjegjësive tona, me qëllim që ky program të realizohet dhe të kenë përfitim qytetarët e vendit tonë”, tha sekretari.

Ndërsa përfaqësuesit e organizatave kanë theksuar që do të mbështesin Kosovën me programin për kujdesin primar në këto komponentë:

• Në aspektin e dhënies të kujdesit primar – Ofruesit e kujdesit shëndetësor primar janë më mirë të trajnuar dhe të pajisur, dhe të kryejnë shërbime cilësore në zonat klinike prioritare ;

• Në strukturën menaxheriale të Komunave -Menaxherët në nivel komunal dhe të objekteve janë të fuqizuar dhe performojnë në mënyrë efikase dhe efektive planifikimin e tyre, buxhetimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e funksioneve mbështetëse; si dhe

• Në ndërgjegjësimin e sistemit shëndetësor të Kosovës–Ndërgjegjësimi i popullsisë në shëndetësi rritet dhe nevojat e pacientëve më mirë njihen dhe konsiderohen nga ofruesit përmes proceseve të zgjeruara të reagime / ndërveprimeve me autoritetet shëndetësore.

Udhëheqëse për implementimin e këtij programi është ngarkuar Debra Stevenson e cila shprehu njëkohësisht kënaqësinë dhe gatishmërinë e saj për të realizuar këtë projekt.

Takimi i sotshëm ishte më shumë informues dhe mbetet në të ardhmen të konkretizohet fushëveprimi i këtyre organizatave, në koordinim me MSh-në dhe projektet e donatorëve të tjerë në Kosovë.