Qendra Universitare e Zvicrës franceze do të hetojë për vdekjen e Deharit

E publikuar: 25/02/2017 13:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një konferencë të përbashkët për media kanë dalë prindërit e tashmë të ndjerit Astrit Dehari, Avni e Xhemile Dehari dhe avokati Tomë Gashi, për të treguar se Instituti për Mjekësi Ligjore i Qendrës Universitare të pjesës franceze të Zvicrës është zgjedhur për të bërë hetim të pavarur në rastin e vdekjes tash për tash ende të pasqaruar të aktivistit të Vetëvendosjes.

Ka qenë fillimisht i ati i Astritit, Avni Dehari, ai që ka kujtuar se janë kryer hetime nga institucionet vendore, me rezultatet e të cilave ata nuk janë pranuar, raporton KOHA.net.

“Pas mundësisë që na dha Kuvendi i Kosovës ne jemi angazhuar që të sjellim ekspertë të pavarur ndërkombëtarë. Kemi kontaktuar me disa Qendra. Jemi përcaktuar që t’i besojmë Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore të pjesës franceze të Zvicrës”, ka thënë Dehari.

E ëma e Astritit, Xhemile Dehari, ka thënë se është zgjedhur Zvicra për shkak se ata si familje kanë jetuar 19 vjet atje.

“Presim hetim të pavarur dhe presim që të vërtetohet bindja jonë se Astriti është vrarë. Nëse rezultati i këtij instituti del i njëjtë me atë të institucioneve të Kosovës ne juridikisht do ta pranojmë, por shpirtërisht kurrë nuk do të bindem se djali im është vetëvrarë”, ka thënë ajo.

Avokati Gashi ka thënë se “ata janë pajtuar se do të angazhojnë ekspertët më të mirë”.

Ai ka thënë se si avokat do të bëjë kërkesë zyrtare e do të njoftojë Ministrinë e Drejtësisë, prokurorin e rastit, si dhe Parlamentin e Kosovës. “Institucionet do të heqin shpenzimet që do të bëhen për punën e këtij Instituti. Është koha që ata të mbajnë premtimin dhe të kryejnë obligimin që kanë marrë”, ka thënë Gashi.