Protestat në Iran hyjnë në javën e dytë, SHBA akuzohet për ndërhyrje

E publikuar: 04/01/2018 19:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Protestat kundër qeverisë kanë hyrë në javën e dytë në Iran derisa Teherani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në çështjet e brendshme të këtij vendi.

Këto deklarata kanë ardhur pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka ofruar mbështetje për protestuesit në “kohën e duhur”.

Pasi qeveria ka bllokuar qasjen në mediat sociale dhe sajte të ndryshme, për të shmangur shpërndarjen e informacioneve, ka mbetur e paqartë nëse protestat e 4 janarit kanë qenë më të vogla se ato në gjashtë ditët e kaluara.

Në protestat kundër qeverisë, në të cilat kanë vdekur të paktën 22 persona dhe më shumë se 1,000 të tjerë janë arrestuar, po konsiderohen si sfida kryesore për Iranin në pothuajse një dekadë.

Pamje nga Teherani, Kazeroun, Malayer, Nowshahr dhe qytete të tjera kanë paraqitur protestuesit duke marshur kundër qeverisë, ndonëse nuk ka qenë e qartë se kur janë filmuar ato pamje.

Protestat, që fillimisht nisën si paknënaqesi e të rinjëve dhe klasës punëtore, më vonë morën kahje tjetër duke bërë thirrje kundër qeverisë dhe privilegjeve të elitës, sidomos kundër liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi, i ka bërë thirrje popullit të saj të vazhdojë me protesta.

“Në rast se qeveria nuk ju ka dëgjuar për 38 vite, roli juaj është që të injoroni atë që tani qeveria ju thotë juve tani”, është cituar të ketë thënë avokatja për të drejtat të njeriut me bazë në Londer, dhe fituesja e Çmimit Nobel më 2003.

Derisa intensiteti i protestave në rrugë duhet se është zvogëluar, situata është tensionuar në qarqet diplomatike.

Përmes një letre drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 3 janar, ambasadori i Teheranit, Gholamali Khoshroo, ka akuzuar qeverinë amerikane për ndërhyrje “në mënyrë groteske në çështjet e brendshme të Iranit, si arsyetim për ofrim të përkrahjes për protestat”.

Khoshroo ka akuzuar SHBA-në për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe parimeve të kartës së OKB-së, duke bërë thirrje tek vendet e tjera që ta kundërshtojnë deklaratën e Uashingtonit.

“Presidenti dhe nënpresidenti amerikan, në një numër postimesh në Twitter kanë nxitur iranianët të jenë pjesë e akteve përçarëse”, ka thënë Khoshroo.

“Departamenti amerikan i Shtetit ka shkuar aq larg sa ka pranuar se qeveria amerikane dëshiron të inkurajojë protestuesit në Iran që të ndryshojnë qeverinë, duke pranuar se SHBA-ja është përfshirë në ndërhyrjen e punëve të brendshme në Iran përmes Facebook-ut dhe Twitter-it”, ka thënë ai.

Letra është publikuar pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka premtuar se do t’i ndihmojë iranianët.

“Do të keni mbështetje të madhe nga Shtetet e Bashkuara në kohën e duhur”, ka thënë Trump.

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, i ka përkrahur deklaratat e presidentit Trump, duke thënë se iranianët e përfshirë në protestat kundër qeverisë në Teheran duhet t’i shohin Shtetet e Bashkuara si “aleat të natyrshëm”, në kërkesën e tyre për liri dhe demokraci.

Në një intervistë në Shtëpinë e Bardhë për Zërin e Amerikës, Pence ka thënë se “populli amerikan është përkrah popullit liridashës në Iran dhe botë, dhe mendoj se ky është moment shumë shpresëdhënës”.

“Qëllimi im, vërtetë lutjet e mia janë që populli iranian, një popullatë e re, e edukuar mirë, të kuptojë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe popullata e saj janë aleti i tyre i natyrshëm. Ne dëshirojmë t’i shohim ata derisa arrijnë të kenë një të ardhme të lirë dhe demokratike. Ne duam t’i shohim teksa largohen nga regjimi, i cili vazhdon të kërcënojë botën”.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë kërkuar një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për protestat në Iran duke konsideruar vënien e sanksioneve ndaj Iranit, pasi të paktën 22 persona kanë vdekur në protesta.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ende nuk ka vendosur për takimin e kërkuar nga SHBA-ja.

Diplomatë nga Rusia dhe Kina pritet të kundërshtojnë veprimet kundër Iranit.

Derisa zyrarë amerikanë kanë ofruar mbështetje për protestuesit, liderët evropianë kanë bërë thirrje për maturi.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se komentet për protesta që vijnë nga Uashingtoni, Izraeli dhe Arabia Saudite janë “ato që mund të na dërgojnë në luftë”.

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel ka thënë se “urgjentisht kundërshtojmë tentimet ndërkombëtare për të abuzuar me konfliktin e brendshëm iranian. Kjo nuk është rruga për të zgjidhur situatën”, ka thënë ai.

Protestat që fillimisht nisën në qytetin e dytë më të madh në Iran, Mashhad ishin shenjë pakënaqësie për rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.

Mirëpo shumë shpejt protesta filloi mori kahje tjetër, në kundërshtim të qeverisë.

Më 3 janar, Teherani ka organizuar një demonstratë masive, e cila tregonte përkrahje ndaj qeverisë.

Derisa disa nga protestuesit kundër qeverisë bënin thirrje “vdekje për diktatorin”, duke iu referuar liderit suprem iraninan, Ayatollah Ali Khamenei, të tjerët që ishin në përkrahje të tij kanë thirrur “gjaku në venat tonë është dhuratë për liderin tonë” dhe se “ai nuk do të jetë i vetëm”.

Televizioni iranian në gjuhën angeleze, Press TV, ka prezantuar pamje të protestave pro-qeveritare në të cilat shihen protestuesit me famuj iranianë duke shfaqur përkrahje për qeverinë.

Protesta të tilla janë mbajtur në qytetet si, Ahvaz, Qom, Kermanshah, and Gorgan.

Liderët evropianë e kanë kundërshtuar “humbjen e papranueshme të njerëzve” dhe arrestimet e qindra personave në protestat kundër qeverisë në javën e parë.

Më 3 janar, shefi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Zeid Ra’ad Al Hussein, i ka bërë thirrje Teheranit të “kontrollojë me kujdes të madh valën e protestave të cilat kanë nisur në këtë shtet në mënyrë që të mos shpërthejë dhuna”, dhe të hetohen të gjitha vdekjet dhe lëndimet serioze.

“Jam thellësisht i shqetësuar nga raportimet që më shumë se 20 persona, përfshirë një 11 vjeçar, kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë arrestuar gjatë valës së protestave në Iran”, ka thënë Zeid.

Qeveria e Iranit ka bllokuar qasjen në mediat sociale për të shmangur shpërndarjen e informacioneve rreth protestave, të cilat paraqesin sfidën më të madhe për autoritetet për afro një dekadë.

Inflacioni dhe papunësia, sidomos tek moshat e reja është njëra nga pakënaqësitë.

Demonstratat janë zhvilluar në dhjetëra qytete në Iran, duke përfshirë shumë vende në kryeqytet, ndërsa zëvendësi governatori, Ali Asgar Naserbakht ka thënë se 450 persona janë arrestuar deri më tash.

Qyete të tjera ku janë mbajtur protestat kanë qenë, Sanandaj, Ilam, Khoramdareh, Kermanshah, Izeh, Ahvaz, Shahin Shahr, dhe Tuyserkan.

Presidenti iranian, Hassan Rohani ka thënë gjatë një bisede telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, se shpreson që protestat kundër qeverisë të përfundojnë sa më shpejt.

Si shenjë e rregullimit të marrëdhënieve në mes të Turqisë dhe Iranit, Erdogan i ka thënë Rohanit se derisa “paqja dhe stabiliteti” duhet të jenë të siguruara, ai po ashtu është pajtuar se e drejta për të protestuar nuk duhet të dërgojë në “shkeljen e ligjit”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

/rel/