Prokurori dhe kryetari i Pejës nuk shkojnë në seancë, i dëmtuari kërkon që prokurori Bajraktari të mos e përfaqësojë aktakuzën

E publikuar: 22/03/2018 18:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I dëmtuari Hysni Selmanaj, ka deklaruar se ka parashtruar kërkesë në Prokurorinë Themelore në Pejë, që lëndën ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, të mos e përfaqësojnë tre nga prokurorët, Muharrem Bajraktari, Lumturije Hoxha dhe Sanije Gashi Seferi.
Të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, ishte paraparë të mbahet seanca fillestare në këtë rast, por ajo ka dështuar të mbahet pasi ka munguar prokurori i rastit, Muharrem Bajraktari dhe i akuzuari, Gazmend Muhaxheri.

Kryetar i Pejës, akuzohet për veprën penale “mosekzekutim të vendimeve gjyqësore”.

“Këta prokurorë lëndën e kanë mbajtur për tre a katër muaj dhe nuk e kanë përfunduar, andaj edhe kam kërkuar që këta të mos e përfaqësojnë aktakuzën”, ka thënë të enjten, i dëmtuari Selmanaj.

Ai ka shtuar se me vendimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, me 23 nëntor 2017, kryetari i Komunës së Pejës, obligohet që të veprojë ashtu siç është vendosur me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, që të njëjtin të e kthej në vendin e tij të punës.

“Edhe përkundër tërheqjes së vërejtjes nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, i njëjti nuk ka ndërmarrë asgjë e as që ka ardhur në gjykatë”, ka thënë ai.

Por, pasi që kanë munguar prokurori Bajraktari dhe i akuzuari Muhaxheri, seanca e shqyrtimit fillestar ka dështuar të mbahet.

Gjykatësi Sejdi Blakaj ka konstatuar se në shkresat e lëndës nuk ka prova se i akuzuari Muhaxheri është ftuar në mënyrë të rregullt, duke shtuar se gjithashtu mungon edhe prokurori Muharrem Bajraktari.

Për këtë, me kërkesën e të dëmtuarit Hysni Selmanaj, seanca e radhës është caktuar më 25 qershor 2018, në ora 13:00.

Kjo është hera e dytë, që ka dështuar të mbahet seanca fillestare, ishte paraparë të mbahej edhe më 24 tetor të vitit të kaluar, pasi edhe atëherë kishte munguar i akuzuari Muhaxheri.

Ndryshe, Gazmend Muhaxheri, akuzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës për moszbatim të vendimeve gjyqësore të shkallës se parë dhe të dytë në cilësinë e kryetarit të Komunës së Pejës, duke mos e kthyer në vendin e tij të punës, Hysni Selmanajn, si drejtor të Auditorit të Brendshëm.

Sipas prokurorisë, Gazmend Muhaxheri, më 24 mars 2016, si person përgjegjës, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Pejës, ka refuzuar të ekzekutojë vendimin e plotëfuqishëm të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Sipas aktakuzës, pasi që Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar, ankesën e të autorizuarit, debitorit Komuna e Pejës, ndërsa vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës e ka vërtetuar, i pandehuri nuk e ka ekzekutuar vendimin në fjalë.

Sipas këtij vendimi, i dëmtuari Hysni Selmanaj, është dashur të kthehet në vendin e punës si drejtor i Auditorit të Brendshëm, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, e duke i paguar 50% të pagës, nga dita e pezullimit e deri në zbatim të këtij vendimi.

Ndryshe, Komuna e Pejës, e kishte larguar nga puna, tani të dëmtuarin Selmanaj, me arsyetimin për performancë të dobët./Betimiperdrejtesi/