Problemet e Veselit me Haradinajn rrënjët i kanë te sondazhet e NDI, AAK para PDK’së

E publikuar: 25/04/2019 19:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas formimit të qeverisë ishte dukur që kryetari i AAK’së dhe ai i PDK’së e kishin gjetur ritmin e bashkëpunimit. Tashmë ajo i takon të kaluarës. PDK në sondazhe është parti e katërt dhe një gjë e tillë po krijon tensione në qeveri.

Zgjedhjet e rregullta në Kosovë do të duhej të mbaheshin dikund në vitin 2021, mirëpo dy partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës prej tash kanë filluar ta shohin njëri – tjetrin më shumë si rivalë se sa si partnerë. Gjërat kanë shkuar aq larg sa Haradinaj dhe Veseli nuk takohen me njëri – tjetrin as për t’i koordinuar veprimet qeverisëse. Këtë e tha mbrëmë edhe Haradinaj në Pressing. Tensionet në mes të këtyre të dyve kanë filluar rreth taksës. Veseli, pas presionit amerikan, ishte rreshtuar pas Thaçit, duke e sulmuar Haradinajn se po bënte politika populliste me taksën. Në një takim me përfaqësuesit amerikan Veseli e kishte sulmuar Haradinajn në prezencë të tyre.

“Ramushi po provon me i fitu disa përqindje më shumë në zgjedhje, duke mos e hequr taksën”, i kishte thënë Veseli amerikanëve, në prezencë të Haradinaj dhe Thaçit.

Në kushte të anonimitetit, një burim i afërt me të dy politikanët, i ka treguar Gazetës Express, se tensionet në mes të Veselit dhe Haradinajt janë të lidhur saktësisht me zgjedhjet.

“Pasi kanë arritur sondazhet e fundit të NDI (National Democratic Institute) janë ngritur tensionet në mes të Veselit dhe Haradinajt”, ka thënë ky burim.

Haradinaj ka thënë në Pressing që sipas sondazheve AAK tashmë është tek 17 për qind, një shifër kjo rekorde për këtë parti politike.

“Në këto sondazhe PDK është 16 për qind, është 1 për qind më pak se AAK”, ka thënë burimi i Gazetës Express i cili thotë se ka njohuri për këto sondazhe.

NDI në mënyrë të rregullt realizon sondazhe për partitë politike në vend. Këtë sondazhe merren jashtëzakonisht seriozisht nga partitë politike, marrë parasysh kredibilitetin e lartë të kësaj organizate joqeveritare amerikane. Kur dalin rezultatet e sondazhe, zyrtarët e NDI’të secilën parti e informojnë për rezultatet e tyre, por jo edhe për ato të rivalëve.

“Është e pamundur që të mbahen sekret këto të dhëna. Pothuajse secili i di për secilin”, ka thënë burimi i Gazetës Express, duke shtuar që sipas sondazheve të fundit në vend të parë vazhdon të mbetët LDK, me rreth 25 për qind, kurse në vendin e dytë është LVV me rreth 20 për qind.

“PDK është e shokuar që ka rënë në vendin e katërt, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë”.

Sipas këtyre sondazheve, pragun e kalon edhe NISMA për Kosovën, derisa nën të mbetën AKR dhe PSD.

“Do të jetë e pamundur që të ruhet stabiliteti në mes të PDK dhe AAK, nëse ky trend vazhdon”, tha burimi i Gazetës Express./GazetaExpress/