Presidenti Trump, thirrje për "ndalim më të ashpër" të udhëtimeve për në SHBA

E publikuar: 15/09/2017 18:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje sot për një “ndalim më të ashpër dhe më konkret” të udhëtimeve drejt Shteteve të Bashkuara, pas shpërthimit të një bombe artizanale në një tren të Londrës.

Në një seri komentesh në Twitter sot në mëngjes, zoti Trump e quajti shpërthimin një tjetër sulm të ndërmarrë “nga një dështak terrorist” dhe la të kuptohej se policia e Londrës humbi një rast për ta parandaluar atë.

Presidenti Trump tha gjithashtu se ndalimi i udhëtimeve për gjashtë vende kryesisht muslimane duhet të jetë “shumë më i madh, më i ashpër dhe më konkret, por kjo nuk do të quhej politikisht korrekte!”

Bomba shpërtheu në një tren të mbushur plot gjatë orëve me trafik të dendur, duke lënë të paktën 22 të plagosur, por jo rëndë. Policia tha se shpërthimi ishte një sulm terrorist, i pesti në Britani këtë vit.

Duke komentuar në Twitter, Presidenti Trump shkruante: “Është fjala për njerëz të sëmurë dhe të çmendur që ishin të njohur për policinë britanike. Duhet të tregohemi aktivë.”

Policia britanike nuk pranoi të komentonte, por Kryeministrja britanike Theresa May u përgjigj pa vonesë, duke thënë: “Asnjëherë nuk mendoj se është e dobishme kur dikush shpreh hamendje rreth diçkaje në hetim e sipër.”

Zoti Trump u tha gazetarëve se kishte në plan t’i telefononte zonjës May.