Presidenti Trump në OKB, thirrje për reduktimin e burokracisë dhe shpenzimeve

E publikuar: 18/09/2017 18:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Donald Trump bëri sot paraqitjen e tij të parë në Kombet e Bashkuara, duke i kërkuar organizatës botërore prej 193 vendesh të reduktojë burokracinë dhe shpenzimet si dhe të përcaktojë më qartë misionin e saj në botë.

“Vitet e fundit, – tha Presidenti Trump, – Kombet e Bashkuara nuk kanë arritur potencialin e tyre të plotë për shkak të burokracisë dhe keqmenaxhimit”.

Por ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të “zotoheshin për të qenë partnere në mënyrë që OKB-ja të bëhet një forcë më efektive” për paqen.

Presidenti amerikan i bëri thirrje OKB-së të përqëndrohet më shumë tek njerëzit dhe më pak te burokracia. Ai la të kutohet se Shtetet e Bashkuara po paguajnë më shumë për OKB-në se sa u takon.

Megjithatë, ai nuk bëri kërcënime për tërheqjen e mbështetjes amerikane. Momenti më i rëndësishëm për presidentin amerikan është nesër, kur ai të mbajë fjalimin e tij të parë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.