Pranon fajësinë i akuzuari për vjedhje, i dëmtuari tërhiqet nga ndjekja penale

E publikuar: 30/11/2017 17:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I akuzuari për vjedhje, Islam Krasniqi e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar, të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Krasniqi ka deklaruar se e pranon fajësinë dhe se është penduar për veprimet e bëra, me ç’rast ka premtuar se në të ardhmen nuk do të përsërit një vepër të tillë.

Pranimin e fajësisë nga i akuzuari, nuk e ka kundërshtuar prokurori i rastit Ramiz Buzhala, i cili ka theksuar se ky pranim është bërë në mënyrë vullnetare, pa presion dhe se e ka mbështetjen edhe në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Këtij deklarimi i është bashkëngjitur edhe i dëmtuari Kolë Palokaj, i cili ka deklaruar se heq dorë nga ndjekja penale, por që ka kërkuar kthimin e shumës prej 150 euro, që i janë vjedhur.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast pritet të bëhet nesër, më 1 dhjetor 2017.

Sipas aktakuzës, Islam Krasniqi, akuzohet se më 14 shtator 2015, në tregun “Dardania” në Gjakovë, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitimi pasuror të kundërligjshëm, tjetrit ia merr pasurinë e luajtshme, në atë mënyrë që i pandehuri shkon në treg dhe nga xhepi i përparmë i të dëmtuarit Kolë Palokaj, ia merr portofolin, në të cilin kishte 150 euro, kartela bankare, fotografi dhe disa monedha metalike.

Me këto veprime, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja”, nga neni 325, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.