Plumba në drejtim të policisë, vritet efektivi i FNSH-së

E publikuar: 02/09/2016 17:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës ka mbetur i vdekur gjatë një operacioni për arrestimin e një shtetasi me probleme mendore në Torovicë të Lezhës.

Nga informacionet paraprake të shpërndara nga Policia thuhet se shtetasi David Qosja, banues në Torovicë ka nisur të qëllojë me armë automatike në ajër. Të alarmuar, banorët e tjerë kanë njoftuar menjëherë policinë.

Kjo e fundit ka kërkuar ndihmën e FNSH që kanë bërë rrethimin e banesës së personit për neutralizimin e tij. Por Qosja u është kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të uniformave blu dhe FNSH dhe gjatë të shtënave ka mbetur fillimisht i plagosur efektivi i FNSH, Ardian Kodra, 50 vjeç.

50-vjeçari është shoqëruar menjëherë në drejtim të spitalit, por nuk u ka mbijetuar plagëve të marra nga breshëria e plumbave.

Policia e Lezhës thotë se David Qosja njihet në zonë si person me të çrregullime mendore, megjithëse nuk ka asnjë dokument zyrtar nga spitali për këtë.

Policia vijon operacionin për ndalimin e tij. Në vendin e ngjarjes ka shkuar nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Qato, si dhe njësitë speciale të RENEA-s. Rreth banesës së të dyshuarit ka patur shkëmbime zjarri, të cilat janë bërë shkas për rënien e një zjarri.

/ Top Channel