Pas golit ndaj Realit, Messi vazhdon të jetë favorit për Këpucën e Artë

E publikuar: 06/05/2018 23:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Barcelona e vazhdoi serinë pa humbje në edicionin e sivjetmë të La Ligas duke luajtur baras (2-2) kundër Real Madridit në ‘el Clasico’.

Në proces, nuk munguan golat e dy superyjeve të skuadrave, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.

(Foto: Getty Images)

Dhe pas përfundimit të ndeshjes, argjentinasi natyrisht se mund të mendojë se goli i shënuar kundër rivalit të përbetuar, do t’i ndihmojë në garën për çmimin ‘Pichichi’ (golashënuesi më i mirë në La Liga) dhe në garën për Këpucën e Artë për golashënuesin më të mirë në kampionatet kryesore evropiane.

Goli i shënuar në pjesën e dytë nga Messi ishte i 33-të këtë edicion në La Liga dhe në këtë mënyrë qëndron me dy gola para rivalit kryesor për Këpucën e Artë, yllit të Liverpoolit, Mohamed Salah.

Në kampionatin spanjoll, konkurrent më i afërt i 30-vjeçarit është Cristiano Ronaldo, i cili ka realizuar 25 gola këtë sezon në La Liga.

(Foto: Getty Images)

Për më shumë, ky ishte goli i 26-të i Messit kundër Real Madridit dhe në këtë mënyrë e ka ngritur më shumë rekordin e tij si golashënuesi më i mirë në ‘el Clasico’.

Argjentinasi këtë edicion ka arritur ta fitojë La Ligan dhe Kupën e Mbretit me Barcelonën, ndërsa në Ligën e Kampionëve u eliminuan nga Roma. /Telegrafi/